MENU
klinika

A ndërruan jetë?

Bashkuan shtretërit që t’í mbanin dorën njeri-tjetrit!

17.12.2018 - 17:45

Ed Hale (83 vjeç) dhe gruaja e tij Floreen (82 vjeç), u ndanë nga jeta të kapur prej dore, njësoj siç bënin edhe 60 vjet më parë, deri në këtë moment të fundit.

Ata u njohën në një festë shumë vite më parë. Në fillim, marrëdhënia e tyre kishte vështirësi, si të gjitha çiftet e tjera, pasi kur Ed kërkoi të martohej me të, prindërit e saj refuzuan. Floreen ishte përfshirë në një aksident, ku ish-burri i saj kishte humbur jetën, kurse ajo ishte plagosur rëndë.

“Nuk më intereson, edhe nëse do duhet ta ngre me duart e mia çdo ditë të jetës sime”, iu përgjigj ai, për t’i dhënë pëlqimin e tyre.

Jetuan në shtëpinë, të cilën e kishte planifikuar ai dhe atje rritën dy fëmijët e tyre, Renee dhe Ricky. Çdo ditë i sillte një “ëmbëlsirë” nga dyqani ku punonte, ndërsa kujdesej për të, i gatuante dhe bënte çdo gjë që mundej, për të zbukuruar çdo moment të saj.

Të njohurit e tyre e quanin “Shenjti Ed”, vetëm për atë që bënte për të, madje edhe përpara se t’ia kërkonte. Pesë vjet më parë, shëndeti i tij filloi të tronditej, pasi vuante nga diabeti dhe kishte probleme me zemrën dhe veshkat. Por kjo nuk e ndaloi që të kujdeset për të dashurën e tij dhe t’i gatuajë për më të shumtën e ditëve.

“Zemra e tij ishte aq e fortë. I njejtë është vullneti i tij për jetën. Luftonte me problemet e tij shëndetësore, për të… sepse nuk donte ta humbiste”, tha vajza e tyre Renee.

 

Kur u sëmurën të dy, njëri nga veshkat dhe ajo nga problemet e zemrës, familja u gjend në dilemë, cili spital mund të siguronte për ta kujdesin më të mirë shëndetësor. U trajtuan në spitale të ndryshme. Në agimin e 6 shkurtit, 83 vjeçari kërkoi të shihte gruan e tij. Zyrtarët e dy spitaleve bënë çmos për të qenë të dy së bashku.

E çuan me një ambulancë për ta parë dhe bashkuan shtretërit e tyre në mënyrë që të mbanin dorën e njëri-tjetrit. Si përfundim, ajo “iku” më 7 shkurt, 2014 nga sulmi në zemër dhe ai, duke mos duruar mungesën e saj, u “shua” në pasditen e të nesërmes.

“Ishte zotëri deri në fund. E priti që ajo të largohej e para”, tha vajza e tyre.

Dhe ashtu si jetuan së bashku, kështu u larguan për udhëtimin e tyre të fundit. Funerali i tyre u krye i përbashkët dhe u bë një ditë para Ditës së Shën Valentinit.