MENU
klinika

1.8% më të lira

Bien çmimet e importit

08.12.2018 - 13:00

Çmimet e produkteve industriale të importit janë ende në rënie. Të dhënat Instat treguan këtë javë se indeksi i çmimeve të importit ra me 1.8% në tremujorin e tretë të këtij viti, duke konfirmuar presione shumë të dobëta nga jashtë për inflacionin në vend.

Për të tretin vit radhazi, çmimet e importit po qëndrojnë në territor negativ.

Rënia e çmimeve të importit ngelet kryesisht rrjedhojë e çmimeve të ulëta të lëndëve të para dhe kërkesës ende të brishtë në tregjet botërore. Megjithatë, gjatë vitit 2018 kjo tendencë është theksuar edhe nga mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit valutor.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, leku është forcuar me afro 7% në kursin e këmbhimit me euron dhe besohet se efekti në rënien e çmimeve të importit të ketë qenë i konsiderueshëm.

Në ekonominë shqiptare, kjo është përcjellë në çmime ndjeshëm më të lira importi në produktet e degëve kryesore të ekonomisë.

Rënia me 1.8% e çmimeve të industrisë përpunuese ka qenë vendimtare në tendencën e indeksit të çmimve të importit, për shkak të peshës së lartë specifike. Ndërkohë, rënia e çmimeve ishte edhe më e theksuar për energjinë, me 9.9% më pak krahasuar me një vit më parë.