Bizneset e huaja realizojnë afërsisht një të tretën e xhiros vjetore në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, pesha e ndërmarrjeve me kapital të huaj ose të përbashkët në ekonominë shqiptare po rritet.
Shitjet neto të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, në vitin 2017, përbënin 30,3 % të shitjeve neto gjithsej të bizneseve në vend, nga 22,7 % që ishte në vitin 2016.
Në vitin 2017, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta punësonin 18.7 % të të punësuarve gjithsej në ekonominë vendase, nga 16 % që kishin punësuar në vitin 2016. Vitin e kaluar, ato realizuan 49,2 % të eksporteve gjithsej nga 48,2 % në vitin paraardhës.
Numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, të cilat ushtrojnë aktivitet ekonomik në vendin tonë, në vitin 2017, u rrit me 11,6 %. Në vitin 2017, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Europian zënë 66,7 % të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta.
Ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 11,8 % dhe ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e tjera zënë, 21,5 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.
Ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta nga Italia dhe Greqia zënë, 54 % të ndërmarrjeve të huaja gjithsej, si dhe 58,7 % të të punësuarëve.