Në të gjithë territorin e vendit moti ka qenë i paqendrueshëm gjatë natës, me reshje dëbore në vendet malore e shi në vendet e ulëta.
Dëborë ka rënë më shumë në Qarkun e Kukësit dhe Dibrës, por dhe në juglindje të vendit, në Qarkun e Korçës.
Në Bulqizë, ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës janë shoqëruar me ngrica dhe në disa rrugë duhen përdorur zinxhirë. Trashësia e dëborës në disa fshatra shkon deri në 30 cm.
Reshje dëbore gjatë natës, të shoqëruara me ngrica, ka pasur edhe në Korçë dhe Ersekë. Trashësia e borës është 25 cm në Dardhë dhe më pak në pjesën tjetër të qarkut.
Si pasojë e ngricave, aksi Korçë-Dardhë dhe Korçë-Qafa e Qarrit janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë. Akset e tjera janë të kalueshme pa probleme.
Gjatë ditës pritet një përmirësim gradual i motit, ndërsa, sipas Meteoalb, temperaturat në shkallë vendi do të luhaten nga -5°C minimumi në zonat malore deri 15°C, vlera më e lartë në vendet bregdetare.