MENU
klinika

Obligacionet e kompanive

Borxhi i privatëve si alternativë investimi

10.12.2018 - 13:11

Të mërkurën, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pritet të miratojë prospektin e radhës të obligacioneve me ofertë private të Credins Bank, për një vlerë përkatësisht 500 mijë euro, 1 milion dollarë amerikanë dhe 400 milionë lekë.

Obligacionet kanë maturim shtatë vjeçar dhe janë të konvertueshme në aksione. Prej më shumë se pesë vjetësh, Credins e ka kthyer huamarrjen përmes obligacioneve në një praktikë të suksesshme.

Për blerësit, këto obligacione sigurojnë përfitime të kënaqshme dhe mundësinë për t’i konvertuar ato në aksione të bankës. Sipas të dhënave financiare në raportuara nga vetë banka, në fund të muajit shtator totali i obligacioneve në bilancin e Credins Bank kishte vlerën e afërsisht 6.4 miliardë lekëve.

Credins është emetuesi më i rëndësishëm i obligacioneve me ofertë private, por nuk është i vetmi.

Në vitet e fundit, tituj borxhi me ofertë private kanë emetuar edhe institucionet financiare Besa dhe Noa, apo kompani të rëndësishme si Digitalb dhe Balfin.

Deri tani këta tituj emetohen me ofertë private, çka do të thotë se ato i ofrohen klientëve të zgjedhur nga vetë emetuesi apo ndërmjetësi financiar. Por, rritja e numrit të kompanive që përdorin këto instrumente tregon se tregu financiar shqiptar po hedh hapat e para drejt zhvillimit të një tregu të kapitalit.

Në muajin shkurt të këitj viti ka nisur veprimtarinë bursa e parë private e titujve në Shqipëri. Fillimisht, në këtë bursë po tregtohen bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare, por, së shpejti, do t’i hapet rruga edhe tregtimit të titujve të ndërmarrjeve private.