MENU
klinika

Detajet

Dëbimi i diplomatëve/ Opozita iraniane: Vendimi i Shqipërisë i guximshëm

21.12.2018 - 09:13

Vendimin e Shqipërisë për të dëbuar diplomatët e ka përshëndetur edhe Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit Mariam Raxhavi. Ajo e ka cilësuar akt të guximshëm dhe të nevojshëm kundër terrorizmit për sigurinë.

“Që tre dekada më parë, Rezistenca Iraniane e ka theksuar gjithmonë se Ministria e Jashtme e regjimit iranian dhe diplomatët e ambasadat e saj janë pjesë thelbësore e makinerisë së terrorizmit të regjimit. Tre komplote të mëdha terroriste nga mullahët në Shqipëri në mars 2018, në Francë në qershor 2018, dhe në Danimarkë në shtator 2018 kanë qenë të planifikuara nga këto ambasada e diplomatë. Regjimi në Teheran është kumbari dhe epiqendra e terrorizmit. Dëbimi i diplomatëve dhe terroristëve nga SHBA dhe Evropa është i nevojshëm për sigurinë e këtyre vendeve” tha mes të tjerash ajo.

Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit në vendin tonë pak ditë më parë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Gjithashtu është dëbuar dhe shpallur “non grata” edhe Mostafa Roudaki, shefi i stacionit të Ministrisë së Inteligjencës. Gholamhossein Mohammadnia akuzohej nga muxhahedinët (anëtarë të opozitës iraniane) që jetojnë në vendin tonë si agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria e agjenturore e Iranit në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN