MENU
klinika

Detajet

Dita 8/ Studentët shtojnë një pikë tjetër në listë

12.12.2018 - 13:59

Megjithëse ultimatumi i vënë ndaj qeverisë nuk funksionoi dhe nga ana e ministrisë nuk ka përgjigje pozitive për 8 kërkesat e tyre, studentët janë ngritur sërish sot në protesta. Ata janë mbledhur nga të gjitha fakultetet përpara Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit, një objektiv i qëllimtë i tyre duke kërkuar plotësimin e 9 jo më 8 kërkesave.

Kjo pasi studentët shtojnë një pikë tjetër në kërkesat e tyre. Nisur nga procedimi penal i ndërmarrë nga policia për protestën e djeshme ndaj 25 personave, studentët kërkojnë heqjen e procedimeve penale. “Hiqni procedimet penale për studentët”, kanë bërë thirrje ata.

Deklaratës së kryeministrit për dialog, studentët i janë përgjigjur se nuk do të ketë asnjë bisedim por veç plotësim të kërkesave të tyre. “Politika ka 28 vjet që na ka sjellë në këtë derexhe. Kur padrejtësitë bëhen ligj, rezistenca bëhet detyrë.


Nuk ka konsensus, plotësoni kërkesat tona. S’ka dialog, s’ka negociata. Është vetëm një firmë. Mjafton të plotësohen 8 kërkesat, është shumë e thjeshtë”, tha një prej studentëve.

Një tjetër studente para kryeministrisë deklaroi se ata nuk duan dorëheqjen e ministres së Arsimit por të plotësohen kushtet. “Nuk duam dorëheqjen e ministres. Kushdo që të vijë do bëjë të njëjtën gjë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona”, tha ajo.

Ndërkohë ndryshe nga ditët e tjera, sot studentët nuk kanë pasur pankarta por fletë të bardha formati në duar. Nuk ka as fjalime me megafon, as folës.

Studentët kanë bërë thirrje të mos ushtrohet dhunë. Ata kanë theksuar se nuk do të bllokojnë rrugët sepse protesta e tyre është qytetare. Një mesazh i tretë ka qenë thirrja ndaj prindërve të tyre, t’i bashkohen protestës por edhe ndaj qytetarëve të tjerë.