MENU
klinika

Kampionia olimpike

“E lumtur, refuzova miliona për Kosovën”

14.12.2018 - 12:20

Ashtu siç ka qenë protagoniste kryesore tani e katër vjet, Majlinda Kelmendi ishte e tillë edhe në mbrëmjen që u shënua 4 vjetori i pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur, fakti që kam mundur të bëj diçka për vendin tim, më bën të lumtur. Kam refuzuar miliona, kam refuzuar oferta nga shtete të ndryshme vetëm për të qenë këtu dhe për të përjetuar këtë ndjenjë.

Jam shumë e lumtur që sot gjendem këtu dhe ndoshta jam protagonistja kryesore për pranimin e KOK në IOC”, – tha Majlinda Kelmendi për “Insporti”. Pas një pauze të gjatë për shkak të lëndimeve, ajo është rikthyer fuqishëm.

“Ky vit nuk ka qenë i lehtë, sepse i kam pasur tre operacione për shkak të lëndimit të shpinës dhe gjurit. Jam kthyer para dy muajve, nuk jam në formën e duhur, por shpresoj që shpejt do të jem ashtu siç dua unë, për të qenë e gatshme për Lojërat Evropiane dhe Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm”, – ka theksuar Kelmendi.

Ajo është shprehur optimiste për ta mbrojtur medaljen e artë olimpike, por edhe për shumë suksese tjera. “Nuk besoj që është më vështirë të mbrohet medalja se sa të fitohet, sepse unë tashmë e di si duhet të punohet, ushtrohet, jetohet dhe gjithçka tjetër për të arritur deri te medalja”, – ka theksuar Majlinda Kelmendi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN