MENU
klinika

Tjetër rënie të hënën

Eksportuesit: Zhvlerësimi i euros po na zeron fitimet

24.12.2018 - 15:22

Euro ra sërish të hënën në kursin e këmbimit valutor me lekun. Monedha europiane u këmbye me 122.76 lekë, duke shënuar një rekord të ri për 10 vitet e fundit. Euro nuk kishte zbritur në këto nivele që nga fundi i vitit 2008. Në ditët e fundit, tendenca e rënies së euros besohet se është forcuar edhe nga faktori sezonal, i lidhur me kthimin e emigrantëve për pushimet e fundvitit. Kjo ka shtuar ofertën e euros në tregun valutor.

Ndërsa monedha e përbashkët europiane vijon rënien, bizneset që kanë të ardhura në euro raportojnë një dëm të madh ekonomik, deri në zerim total të fitimit të tyre. Kreu i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi shprehet se llogaritet  një humbje të të ardhurave, në rreth 14-15%. Ndërsa dëmi në buxhetin e shtetit për të gjithë vitin llogaritet rreth 10 miliardë lekë.

Zusi u bën apel institucioneve kompetente që të marrin masa për parandalimin e zhvlerësimit të Euros. Eksportuesit janë ata që preken më së shumti nga trendi rënës i Euros. Për periudhën Janar-Tetor 2018, Shqipëria eksportoi mallra në vlerën e afro 262 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 16%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Te pragu i 123 lekëve

Euro “kthehet” në vitin 2008