Këshilli Bashkiak i bashkisë së Elbasanit miratoi me 45 vota buxhetin e vitit 2019 në një mbledhje me diskutime të shumta për zhvillimin e qytetit dhe investimet.
Buxheti i Bashkisë së Elbasanit u miratua me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak, 45 nga 51 që ka gjithsej, ndërsa 2 këshilltarë mungonin.
Votave të 16 këshilltarëve të PS iu bashkuan edhe ato të këshilltarëve të partive të tjera, si nga LSI, PDIU, PR, FRD e PLL, ndërsa katër këshilltarë të PD që ishin në mbledhje u shprehën kundër projektbuxhetit 2019.
Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini prezantoi para këshilltarëve buxhetin e vitit 2019, si i 12-i buxhet nën drejtimin e tij.
Që në nisje të fjalës së tij Z. Sejdini theksoi se, buxhetet nuk janë të lehtë, e sidomos sfidat që dalin përpara bashkive pas reformës territoriale.
“Bashkia e Elbasanit ka kaluar me sukses një sfidë të madhe, sfidën e hartimit të një buxheti efektiv, të qëndrueshëm nga viti në vit, një buxheti pa deficit, një buxhet ku përqindja më e madhe shkon tek investimet e shërbimet publike.
Për vitin 2019 Bashkia e Elbasanit ka parashikuar një draft buxhet prej 2.7 miliardë lekësh, i cili nëse përpjesëtohet me numrin e banorëve në Bashkinë Elbasan, çdo banor do të marrë shërbime dhe produkte bashkiake në vlerë rreth 15 mijë lekë të reja, ndërkohë që paguan vetëm 2400 lekë të reja në vit, pra bashkia subvencionin e ka në masën 80%”, tha Sejdini.
Sipas tij, theksi kryesor ka qenë objektivi për një bashki sociale, e cila punon për lehtësimin e gjendjes së të varfërve në ofrimin e shërbimeve bazë për ta dhe duke mbajtur nivelin më të ulët të taksave dhe tarifave.
“Buxheti i vitit 2019 është 2.7 miliardë lekë dhe krahasuar me 2018 është 11% më i lartë se buxheti i një vitit më parë. Në total shpenzimet kapitale, pra investimet e bashkisë janë rreth 200 milionë lekë më shumë se 2018. Nga ky total rreth 40% i zë program i infrastrukturës rrugore; 14% i zë programi i shërbimeve publike”, tha Sejdini.
Ai u shpreh më tej se ky buxhet është përgatitur në përputhje të plotë me aktet ligjore në fuqi dhe është rezultat një bashkëpunimi me qytetarët dhe aktorët e tjerë në takimet e hapura të zhvilluara me ta.