Sektori i fasoneve i ka sjellë ekonomisë shqiptare 314 milionë euro për nëntë muaj. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga shërbimet e përpunimit të mallrave të porositësve jashtë vendit u rritën me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fasonet ngelen shtylla kryesore ku mbështeten eksportet shqiptare, me rreth 44% të volumeve totale vjetore.
Ky biznes i rezistoi mirë krizës dhe në dekadën e fundit përgënjeshtroi parashikimet për një perëndim gradual, si pasojë e konkurrencës nga tregjet e Azisë dhe Europës, ku krahu i punës është edhe më i lirë.
Ai është i përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë, por, në vitet e fundit, ka një zgjerim të spektrit të produkteve që prodhohen në Shqipëri. Një degë e rëndësishme e industrisë fasone është edhe përpunimi i produkteve të detit dhe sidomos i açugeve.
Fasoneria ka hyrë edhe në degë më specifike dhe që kërkojnë një shkallë relativisht të lartë specializimi, si, për shembull, elektromotorrët. Në total, ekonomia shqiptare përfitoi për 9-mujorin e vitit 2018, 890 milionë euro nga shërbimet e eksportuara.