Në 2 dhjetor në mbarë botën celebrohet Dita Ndërkombëtare e Skllavërisë, vendosur në vitin 1949 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Shumë mund të mendojnë se kjo është një temë e kapërcyer tashmë, por e vërteta është krejt ndryshe, dhe jo vetëm në vendet në zhvillim apo në vendet diktatoriale. Libra të shumtë janë shkruar për këtë plagë të dhimbshme të shoqërisë, fillimisht me “Kabina e Xhaxha Tomit” e autores Harriet Beecher Stowe e në vazhdim.
Abraham Linkoln është emri që i bashkëngjitet luftës për heqjen dhe shtypjen e skllavërisë, pikëpamje të cilat i shprehu publikisht në lidhje me çështjen e skllavërisë.
Po ashtu Presidenti Abraham Linkoln udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile, midis shteteve të veriut dhe të jugut, i dha fund skllavërisë dhe në të njëjtën kohë ruajti bashkimin e vendit dhe i tregoi botës se demokracia mund dhe duhet të përbëjë një formë qeverisje të përhershme.
Lëshoi Proklamatën e Emancipimit, dokumenti i rrallë që u jepte lirinë skllevërve të shteteve jugore.
Shumë fjalime të presidentëve janë shuar nga kujtesa e njerëzve. Një nga më të famshmit është fjalimi i presidentit Abraham Linkoln, i cili prej asaj kohe ka frymëzuar breza të tërë amerikanësh.
Elokuenca e tij mbetet e patjetërsueshme. Fjalimi i Linkolnit në Getisburg është më shumë se një fjalim. Është shprehja hyjnore e një shpirti të rrallë madhështor i fisnikëruar nga vuajtjet.
Është një poemë prozë e pavullnetshme, e cila mbart gjithë bukurinë madhështore dhe shtrirjen e thellë të trajtave të poemës epike:
Tetëdhjetë e shtatë vjet më parë
Etërit tanë u lindën në këtë kontinent,
Një komb i ri, i konceptuar në Liri,
Dhe dedikuar propozimit se
Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.
Sot ne gjendemi në një luftë të madhe civile,
E cila po vë në provë nëse ky komb, apo cilido komb tjetër
Që ngjizet dhe konceptohet në këtë mënyrë,
Mund t’ia dalë të mbijetojë. Jemi mbledhur së bashku
Në një fushëbetejë të madhe të kësaj lufte.
Kemi ardhur t’ia dedikojmë një pjesëz të
Kësaj fushe si vendpushim të përjetshëm
Atyre që mbi këtë vend flijuan jetët e tyre
Vetëm që kombi ynë të mund të jetonte.
Ne duhet ta bëjmë, sepse është gjëja e duhur dhe
Gjëja më me vend që mund të bëhet.
Por, në një kuptim më të gjerë,
Ne nuk mundemi ta kushtojmë – as nuk mundemi të shenjtërojmë
Ne nuk mundemi ta blatojmë këtë terren. Burrat e guximshëm,
Të gjallë e të vdekur, që luftuan këtu
E kanë shenjtëruar atë kohë më parë e ndërkohë ne s’kemi
As ç’t’i heqim e as ç’t’i shtojmë. Bota nuk do t’i mbajë mend gjatë,
Ato që kemi thënë sot këtu,
Ama kurrë nuk do ta harrojë veprën që ata lanë këtu.
Na takon ne të gjallëve, përkundrazi, t’i përkushtohemi
Veprës së tyre të papërfunduar, për të cilën ata që luftuan këtu
E shpunë përpara me aq madhështi.
Na takon neve që t’i përkushtohemi
Detyrës madhore që na pret
Të marrim prej këtyre të rënëve të nderuar
Devocion gjithnjë e më të madh të vazhdojmë
Kauzën për të cilën ata dhanë gjithçka kishin
Dhe le të zotohemi sot këtu me konsideratë se jeta e këtyre
Të rënëve nuk u sakrifikua për hiçmosgjë – se ky komb
Me vullnetin e Zotit, do të rilindë sërish në liri
Dhe se qeverisja e popullit,
Nga populli, për popullin,
Nuk do të zhduket kurrë nga faqja e dheut.