Dy nga studentët e proceduar penalisht nga 25 të proceduar në total, kanë marrë sërish pjesë në protestë në ditën e 8 të saj.
Studentët e proceduar Henri Fero dhe Estela Nazarko janë shprehur se nuk kanë frikë dhe nuk kanë shkelur asnjë ligj. Me pankartat “Na procedoni të gjithëve” studentët kanë kërkuar heqjen e procedimeve penale për protestuesit.
Studentja Estela Nazarko: Nuk është se u shqetësova, pasi është një lëvizje e radhës për të na trembur. Jam shumë mirë dhe do vazhdoj të protestoj.
Këtu nuk ka asnjë organizator dhe protesta nuk është e përçarë. Ne jemi të gjithë studentë të hedhur në rrugë. Rama ka dalë në TV dhe ka bërë monolog me veten. Do jemi këtu deri në plotësimin e kërkesave tona.
Studenti Henri Fero: Në këtë protestë nuk kam hedhur një letër çamçakëzi në tokë dhe jo më objekte në drejtim të Ministrisë. Unë di 5 gjuhë të huaja dhe nuk jam figurë vandale. Unë nuk jam organizator dhe jam qytetar i thjeshtë që dua vendin tim.
Halla e studentit Henri Fero: Është nipi im dhe e kam sjellë nga Gjermania. Është djalë intelektual dhe është djalë që nuk merret me ato gjëra. Ti hiqet emri i tij nga procedimet dhe të mos terrorizojnë studentët.