MENU
klinika

Detajet

Gjimnazet e Tiranës e Elbasanit bojkotojnë mësimin, bashkohen me studentët

11.12.2018 - 09:03

Gjimnazistët e Tiranës i bashkohen protestës së studentëve. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm ata janë mbledhur fillimisht në shkollat e tyre dhe më pas për të marshuar bashkë me studentët drejt Ministrisë së Arsimit.

Gjimnazistët, kryesisht maturantët kanë bojkotuar mësimin sot për të protestuar bashkë me studentët për plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria. Thirrjet që gjimnazistët, nesër studentë t’i bashkohen protestës janë artikuluar prej ditësh, ndërsa ishte paralajmëruar e marta si pika kulmore e Lëvizjes Studentore të nisur prej disa ditësh.

Gjimnazi “Sami Frashëri”, “Petro Nini”, “Shkolla profesionale e Ekonomikut” dhe “Qemal Stafa” janë disa prej gjimnazeve që marrin pjesë sot në protestë. Po kështu studentët iu kanë bërë thirrje edhe pedagogëve t’i bashkohen kësaj proteste.

Dhjetëra gjimnazistë të Elbasanit i janë përgjigjur thirrjes së studentëve për t’iu bashkuar protestës se tyre sot.

Përpara hyrjes së gjimnazeve në orën 08.00 qëndronin një numër i konsiderueshëm nxënësish, të cilët kanë refuzuar të marrin pjesë në mësim.

Ndërkohë mësuesit u kanë bërë thirrje të mos bojkotojnë mësimin maturanteve. Disa prej janë futur në mësim, ndërsa një pjesë tjetër është nisur drejt sheshit kryesor të qytetit.