Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk i ka mbetur hatri që Bashkimi Evropian nuk do t’i liberalizojë vizat as këtë vit për kosovarët. Haradinaj thotë se nga zyrtarët e lartë të BE-së i kanë kërkuar falje Kosovës. Kërkim falje sipas tij ka bërë edhe komisionari Johannes Hahn.
“Për bindjen time Evropa është partneri ynë, ne vërtetë i kemi kryer punët tona. Ata kërkojnë falje për disa çrregullime të brendshme. Kanë pasur një debat të madh për emigracion, i kanë disa shqetësime të tjera që nuk i kanë të lidhura me ne”, është shprehur ai.
“Të gjithë e kanë thënë edhe Hahni edhe të gjithë. Po ai e tha”, ka deklaruar Haradinaj.
I pyetur nëse tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka ndikuar tek mos liberalizimi i vizave, Haradinaj ka thënë se çdo vendim që nuk është i përshtatshëm mund të ndikojë.
“Çdo vendim i yni reflekton diku, çka do që bëjmë ne. Nëse ja qëllojmë na lehtëson punën nëse jo na i vështirëson”.
“Komisioni na vlerësoi mirë. Parlamenti na vlerësoi mirë. Mund të ketë edhe elemente të tjera por të gjithë na thonë na falni dhe na vjen shumë keq”, ka thënë Haradinaj.