Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar të martën përfaqësuesit shqiptarë të komunave të veriut të Kosovës.
Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Qeveria është e përkushtuar që të jetë sa më afër banorëve atje për të adresuar shqetësimet e tyre.
“Kam pritur disa nga përfaqësuesit shqiptarë të komunave të veriut të Kosovës. Në takim u njoftova për bashkëjetesën mes komuniteteve në këtë pjesë të Kosovës, gjendjen aktuale dhe nevojën e mbështetjes institucionale për mirëqenien e qytetarëve në këto komuna. Bashkëbiseduesit i sigurova se Qeveria është e përkushtuar që të jetë sa më afër banorëve atje për të adresuar shqetësimet e tyre”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se janë bërë një javë që prej dorëheqjeve të katër kryetarëve të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pas tensioneve të shtuara së fundi lidhur me taksën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Taksa nuk u kritikua vetëm nga serbët dhe Beogradi zyrtar, kritikë ndaj saj janë nga Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. /Konica.al/