MENU

“Ktheju Tokës”

Jonida Maliqi, zëri shqiptar në Eurovision!

22.12.2018 - 23:57

Jonida Maliqi, me këngën “Ktheju Tokës”, është shpallur fituese e Festivalit të 57 të Këngës në RTSH.

Në natën finale të këtij festivali ishin 14 konkurrentë në garë për çmimin e madh, i cili u rrëmbye nga kënga “Ktheju Tokës”, që tashmë do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2019, i cili do të mbahet në Izrael.

Prezantues të këtij festivali ishin aktori i mirënjohur, Viktor Zhusti dhe artistja shqiptaro-kanadeze Ana Golja.

Ndërkohë, më e vlerësuara pas këngës “Ktheju Tokës” u rendit kënga “Rrëfehem” e Lidia Lufit, ndërsa vendi i tretë shkoi për Eranda Libohovën me këngën “100 pyetje”.

Një moment mjaft i veçantë i mbrëmjes ishte edhe rikthimi në skenë i Gent Bushpepës, fituesi i një viti më parë i këtij koncerti dhe përfaqësues i Shqipërisë në Eurovision, të cilin vitin e ardhshëm do ta zëvendësojë pikërisht Jonida Maliqi.

Këngëtarja me vokalin e veçantë dhe stilin e pangatërrueshëm, ka prekur skenën e Festivalit të Këngës që në moshën 13 vjeçare në duetin me Aleksandër Rrapin, “Planeti i fëmijëve”, në vitin 1995 dhe dy vite më pas në duet me Kastriot Tushën, “Flas me engjëllin tim”. Me një pjekuri tjetër artistike, Jonida prezantohet në vitin 1999 me këngën “Do jetoj pa ty” dhe në tre vitet pasardhëse me këngët “Çast”, “Ik” dhe “Do humbas me ty”. Rikthimi i saj në vitin 2004 me këngën “Frikem se më pëlqen” do të shpërblehej me çmimin e tretë. Dy vite më vonë Maliqi prezantohet me këngën “Pa identitet” dhe në Fest’ 46 me këngën “S’ka fajtor në dashuri”. Me sukses ka prezantuar edhe Festivalin e 49-të të Këngës në RTSH. Ajo u kthye në Fest ’57 pas 11 vitesh.