MENU
klinika

Nga New York Times

Kërcënimi më i madh për Amerikën është vetë Trump…

24.12.2018 - 13:21

Me vendimet e ashpra, që e bënë Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Jim Mattis, të largohej, Presidenti Trump është kërcënim më i madh për sigurinë kombëtare amerikane se çdo kundërshtar i huaj.

Procesi vendimmarrës i sigurisë kombëtare të këtij vendi është më “i rrëmujshëm” sesa në çdo kohë, që kur Akti i Sigurisë Kombëtare u bë ligj në vitin 1947.

Asgjë nuk e ilustron më mirë këtë mosfunksionim të rrezikshëm sesa vendimi i Presidentit Trump për të njoftuar tërheqjen e papritur të të gjitha 2,000 trupave të Shteteve të Bashkuara nga Siria dhe 7,000 trupat nga Afganistani.

Këto vendime u kundërshtuan këshilltarët kryesorë të presidentit, që e konsideruan vendimin si “dhuratën e hershme të Krishtlindjeve” për Rusinë dhe Iranin.

Kostot ishin të larta, duke filluar me dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis, një nga zyrtarët e lartë të administratës, të angazhuar për ruajtjen e lidershipit dhe aleancave globale amerikane.

Të mërkurën, Trump deklaroi se Shteti Islamik ishte mundur dhe premtoi kthimin e shpejtë të të gjitha forcave të Shteteve të Bashkuara nga Siria. Në fakt, shteti islam nuk është mundur, megjithëse është dobësuar shumë. Pentagoni thotë se 2,000 deri 2,500 luftëtarë vazhdojnë të kontrollojnë territorin në Sirinë juglindore.

Amerikanët po braktisin partnerët e tyre kurdë, duke i lënë ata të pambrojtur ndaj ofensivës së Turqisë.  Amerikanët po e lënë Izraelin vetëm për t’u përballur me armiqësinë e Iranit dhe Hezbollahut.

Urdhri për të tërhequr gjysmën e trupave amerikane në Afganistan, tronditi aleatët nga NATO, të cilët kanë shërbyer së bashku me forcat e Shteteve të Bashkuara që nga 11 shtatori. Kjo tërheqje arbitrare dhe e nxituar do të forcojë Talibanët dhe do të sulmojë përpjekjet diplomatike për të nisur bisedimet e pajtimit.

Nëse procesi i vendimmarrjes së sigurisë kombëtare amerikane do të ishte minimalisht funksional, do të kishte patur të paktën një plan i hartuar me kujdes. Plani do të përfshinte strategji për pakësimin e rreziqeve; konsultime paraprake me aleatët, etj.

Në vend të kësaj, dy faktorë u kombinuan dhe sollën shkatërrimin e aparatit vendimmarrës.

Së pari, duket se këshilltari i sigurimit kombëtar, John Bolton, rrallë i mbledh kolegët e tij të kabinetit, për të shqyrtuar çështjet më të vështira.

Bolton ka marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për menaxhimin e çdo sulmi kibernetik dhe terrorist, detyra të caktuara më parë për një zyrtar tjetër të nivelit të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Bolton  po luan rol të shumëfishtë. Këto zgjedhje të paarsyeshme do të dëmtonin vendimmarrjen e sigurisë kombëtare.

Por një faktor i dytë, është se vetë Trump refuzon të marrë seriozisht pikëpamjet e këshilltarëve të tij, dhe shpërfill pasojat e veprimeve të tij. Kështu, Trump sot është më shumë kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane se çdo kundërshtar i huaj.

Në këtë sfond, dorëheqja e Mattis është edhe më shqetësuese.

Strategjitë, objektivat, vendimet, gjithçka duhet të niset nga interesat kombëtare.Në rast se nuk ndodh kështu, siguria e kombit amerikan dhe e aleatëve është e para që vuan.

Susan E. Rice, ka qenë këshilltare e sigurimit kombëtar nga 2013 në 2017 dhe një ish-ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. /konica.al