Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare u bëri thirrje studentëve që t’i bashkohen Akademisë, pasi Policia e Shtetit ka nevojë për mbi 350 n/komisarë.
“Kriteret e pranimit do të jenë shumë të rrepta për t’u inkurajuar që të futen në polici kapacitete të larta, kemi nevojë për cilësi të re.
Ndoshta është rasti për të laçuar një nismë; së shpejti do të kemi mundësi për të adresuar te akademia e policisë për një trajnim modern për të filluar një karrierë në policinë e shtetit. E fillojnë direkt me gradën n/komisar.
Numri nuk do të jetë i vogël, përkundrazi, pasi na duhen 350 n/ komisarë të rinj. Studentët pas kursit do të dalin direk me këtë gradë. Studentë të talentuar ti bashkohen policisë së shtetit. Sot kemi me diplomë universitare edhe ushtarë në ushtri për shkak të prodhimit të madh të universiteteve” tha ai.
Pika kryesore e ligjit për ndryshimet që parashikohen që të bëhen është ajo për pranimin e ushtarakëve në Policinë e Shtetit.
Referuar kësaj pike, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se “Ata që vijnë në policinë e shtetit nuk duhet të jenë ushtarakë aktivë, pra duhet të jenë civilë që të pranohen, të kenë hequr dorë nga ushtria. Këtu bëhet fjalë për nevoja të veçanta”tha ai.
Gjithashtu ministri Lleshaj duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PS, Spartak Braho, pranoi se në radhët e Policisë së Shtetit mund të pranohen edhe individë që më parë kanë qenë pjesë e Shërbimit Informativ.