Nga Eugent Kllapi/
Ku ka kinematografi të vërtetë ekziton dhe Reshat Arbana brenda në të. Ai është një nga baballarët e kinematografisë shqiptare që sheh hijerëndë në çdo debutim të tij.
Shikimi i tij herë lutës, herë pyetës nën heshtje e herë mendueshëm gjatë ka ngelur në ndërgjegjen e të gjithë artdashësve.
Të gjithë e duan prepotencën e tij elegante dhe të butë, për të drejtën dhe të vërtetën. Ndonjëherë prepotencë të zgjatur fodullëku në filma.
Kjo duket në çdo rol të tij. Nuk mungojnë rolet negative që ai i kap aq mjeshtërisht, po roli i tij është kthyer në arketipin e njeriut të drejtë dhe të fisëm, të vërtetë shqiptar, ashtu siç duan të jenë me të vërtetë ata, artistët.
Tek ai shikojnë një mit adhurues të një modeli shoqëror. Nderi i kombit dhe i skenës shqiptare. Paksa i kërrusur në shtalartësinë e tij në role për të shprehur hallet e vuajtjet mbi kurriz, në trupin e hollë e të drejtë që ka realisht si sokol mali tropojan, ai kur të përshëndet është i butë si një fëmijë.
Ai sikur mendon duke ulur kurrizin, drejton me sy po aq sa dëgjon me mendje e sheh me veshë. E përpin skenën me rolet e veta.
Kjo është karakteristikë e njerëzve të mëdhenj që përkon me një identikit artisti madhështor që quhet Reshat Arbana.
Është i thjeshtë sa çdo njeri i zakonshëm, e sheh me biçikletën e tij duke ecur, gjithmonë sikur dëgjon, shikon më shumë se flet, por më shumë sesa të flasë ai reciton vjersha bukur dhe të mahnit po aq sa të trondit.
Është zëri i një kombi që ushton mirësinë, drejtësinë e tij. Në moshën e tij të shtyrë ecën si i ri dhe di të vishet, si me stilin shik, edhe me stil popullor.
Ai fare mirë është imazhi më i mirë shqiptar, ashtu si çdo donin shqiptarët të ishin. Idhull për gjithë artdashësit, një gjigand i kinematografisë shqiptare.
Reshat Arbana lindi më 1940 në Tiranë, në Shqipëri. Ka mbi 35 role në kinematografi, brilant në karakteret që ai shpreh, si në rolet negative dhe ato pozitive.
I jep frymë e shpirt rolit dhe pjesë nga e vetja e vet më shumë se ngjizet në atë rol, i jep fizionominë e vet, pasi për këtë legjendë të artit shqiptar nuk ka ndalje, ai jep gjithçka për artin.
Studimet e larta i kryen në vitin 1968. Fillimisht punon në radio, më pas vitit 1977 aktor i teatrit kombëtar dhe i kinematografisë shqiptare.
Ndër rolet më të spikatura në film është Samiu tek ‘’Fije që priten’’ 1976. Ky film propogandues i regjimit të kaluar nuk ka lidhje me mjeshtërinë e të gjithë aktorëve që luajnë aq bukur aty. Ideologjia është një gjë, por të ideologjizosh do sigurisht mjeshtëri.
Aktori ka vetëm një parti, popullin dhe një ideologji, duartrokitjet e tij. Roli profesional ndahet nga bindjet propaganduese që donte regjimi.
Krah për krah aktorëve legjendë si Kadri Roshi në rolin e tij si agjent i huaj, edhe roli i Reshat Arbanës, Sami Ameni, duket në po të njëjtën lartësi, po të njëjtën mjeshtëri duke fshehur identietin e vet, mjeshtër i madh i skrupulozitetit.
Prefekti Italian e findëlli, sa dhe harbut në elegancën e vet për instrumentistët, vjen në mënyrë mjeshtërore tek ‘’Gjeneral gramafoni’’ në vitin 1978.
Bimbashi që vritet në emër të një populli nga çeta e Çerçiz Topullit me një letër të hapur shkrihet po ashtu pompoz në rol tek ‘’Liri a vdekje’’ në vitin 1979.
Isa Boletini është një nga rolet që i shkon më për shtat aktorit të madh Reshat Arbana tek filmi ‘’Nëntori i dytë’’ në vitin 1982. Kjo si nga ana e fizikut si shembëlltyrë aq dhe hijerëndë e kryelartë si rol.
Ahmeti, babai i pakdhendur si puna e tij e ashpër dhe djali si pasqyrë e tij, i pagdhendur e haram Beso, vjen te shikuesi përherë i sertë, i drejtë në verbëri, deri në ekstrem, por që në fund i dhembshur dhe me falje si rol i babait.
Baballarët kanë halle sa për veten dhe për fëmijët si pjesë e vetes, 1 vete e gjysmë, 1 për fëmijët, gjysmë për veten. Kjo lë shenjë në kinematografi tek ‘’Dora e ngrohtë’’ në vitin 1983.
Adnani tek Hije që mbeten pas në 1985 futet në rolet negative por me të njëjtat shprehi, elegancë, prepotencë dhe madhështi në rolin e vet. Roli i babait i shkon gjithmonë aktorit të madh Reshat Arbanës.
Aliu, babai i dy fëmijëve, i butë dhe punëtor sa një hekurudhë, me fjalë të goditura e me karakter të një populli të thjeshtë.
Krah për krah Bujar Lakos e Ndriçim Xhepës ai vulos një rol që di ta luajë si duke ngrënë bukë tek ‘’Binarët’’ në vitin1987. Roli i njerëzve të thjeshtë te ai ngjit, ai është bërë për popullin, sa dhe duket si babai drejtues i aktorëve.
Emili tek ‘’Rikonstruksioni’’ 1988, i heshtur si burrë, nuk i shtyhet pa një batutë në rol dhe me një qetësi që më shumë se vret flet për një fëmijë. Si nënpunës ai hidhet me hapa reshtorë nga kantieri në kantier.
Nënpunësi ashtu duke zgjatur duart me urdhra me atë qetësinë pompoze i shkon sa dhe roli i babait, i kryetarit apo i prefektit, ai është bërë për t’i dhënë jetë të gjitha roleve që duan zjarr dhe energji.
Kuke Memini madhështor me epikën e flokëve të arratisur në erë për pak nder, prijës arbëror, duket sikur është edhe në jetë Reshat Arbana tek ‘’Balada e Kurbinit’’ në vitin 1990.
Luan rolin e Dajlan Beut duke ecur serbes-serbes te Ura e Katiut në ujrat e Bënjës së Përmetit tek filmi ‘’Kush vdes në këmbë’’ në 1984. Duket sikur është beu i Vinjaut, që të kapte rob e s’të lëshonte pa punë me mëditje.
Ashtu si be i hapur në dëshirën për pushtet e mendjemadhësi ai thur plane për mësuesin se si ta heqë qafe. Mendjemadhësia gjithashtu i shkon, po aq sa kryelartësia.
Tek roli Kryetarit të Këshillit, mosbesues e arrogant, me servilët që i vijnë lart e poshtë ai ka një ndërthurje të të dyja anëve të karakterit, si të njeriut të vështirë, dhe atij të dhembshur para një mjeku kërthi në karrierën e vet, po plak në dije duke i shpëtuar djalin tek filmi ‘’Kur hapen dyert e jetës’’ në vitin 1986.
Te rolet e Reshat Arbanës vërehet një profesionalizëm elitar, i një tipi shumë të diskutueshëm, po aq sa dhe të çdo njërit prej shqiptarëve, pompoziteti, egocentrizmi dhe krenaria, por njëkohësisht dhe pendesa, bujaria, ëmbëlsia në mendime të urta, drejtësia.
Ky lloj lavjerësi që sa hidhet nga roli në rol dhe brenda një roli është tipari thelbësor i legjendarit artist Reshat Arbanës.
Ai iu jep frymë, gjallëri si roleve dhe filmave. Prandaj është legjendar, si babai i aktorëve jep profesionalizëm, si aktor baba jep madhështi, dhe si njeri duket sikur duhet ta ndjekësh njësoj siç ndjek baballërët.
Baballarët shqiptarë gjithmonë kanë pak madhështi autoriteti. Nën hijen e prepotencës ai ka butësi pasi të kundërtat gjithmonë nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, ku ka dashuri ka vuajtje dhe ku ka dramë ka buzëqeshje, e çdo ishte jeta pa pak halle, një lumturi që nuk do të dinin se si t’ia vinim emrin më pas.
Pse a ka njeri pa halle?! Tragjedia lind aktorë gjithmonë në shpërthim. Edhe fëmija e ka një hall prandaj qan kur lind. Ishte në errësirë, del në dritë dhe ky është shqetësim, ishte i ushqyer, duhet të ushqehet me gojë tashmë, ishte i përkujdesur butë, tani del në një botë që si njeh, ishte i qetë, vlojnë zhurmat dhe lind tragjedia përkrah rritjes. Pra tragjedia lind që në lindje me njeriun, por artistët e kuptojnë atë më mirë se çdokush tjetër. Legjendat akoma më shumë.
Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën ‘’Streha e të harruarve.’’
Në vitin 1985 e 1987 ka fituar ‘’Medalionin e Festivalit të Filmit’’.
Më 26 nëntor 2011 në koncertin “nëntori II” organizuar në kuadrin e javës së kulturës shqiptare me rastin e 99 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata shqiptare në Parma të Italisë “Scanderbeg” i dorëzoi çmimin “Skënderbeu – Diaspora shqiptare në Itali” zotit Reshat Arbana të akorduar në emër të 24 shoqatave dhe subjekteve në Itali me motivacionin:
’’Për personalitetin e jashtëzakonshëm, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori, ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin dhe kulturën që e karakterizon përherë.’’ nga shoqatës “Scanderbeg Parma” nga zoti Durim Lika.
Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”
Në 21 nëntor të 2018 ai fiton çmimin aktori i vitit tek Çmimet kult me rolin e babait tek ‘’Babai’’.
Gjithë jetën e tij i dha gjithë frymën, djersën, vullnetin, dëshirën, përvojën, këmbënguljen dhe shpirtin rolit. Nga personaliteti i vet u shtuan një seri rolesh të gjithanshme.
Kohët e fundit e shohim që vjershëron halle e derte, por artdashësve i qan syri për një rol tjetër kinematografik. Populli e do gjithmonë në film.
Ai fare mirë mund të jetë Robert dë Niro shqiptar, mund të ishte aktor hollivudi, mund të fitonte Palma dhe Luanë të artë, Oskar. Nuk ka asnjëgjë më pak se gjithë aktorët e famshëm në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen do të dalin nga kinematografia botërore.
Megjithatë e sheh popullor, babaxhan në kryelartësinë e tij pompoze për të qenë popull dhe njeri i sinqertë, po aq sa me zërin e tij melodioz kur pyet ndonjë të huaj për adresën e dikujt në jetën e vërtetë, sikur një fëmijë të lutet.
Madhështia e artistëve duken nga mënyra si shkrihen me njerëzit dhe sa bashkëveprojnë me ta, në zërin lutës ai fsheh një dramë të tërë shqiptare, po të kishte grusht aq të fuqishëm, jo malin, po edhe parlamentin do ta shembte, sepse ai është madhështori Reshat Arbana, i dashuri dhe i përzemërti përherë i publikut.
Sa më mendjemadh të jesh, aq më pak je artist, por mbi të gjitha njeri, dhe njerëzit duan të jetojnë me njerëzit jo me antinjerëzit.
Ai ngjit përsëri si mastiç publikun para ekranit në vjershërimet e tij kuptimplotë tek vjershat e Ali Asllanit, Gjergj Fishtës apo Pashko Vasos, kumbimin e zërit, uljet ngritjet e tij nëpërmjet diksionit, urtë e butë e plot rritëm e dinamikë.
Populli e do, ai e do popullin se të dy janë bërë për njeri-tjetrin, ai është prijësi i artit, populli ndjekësi, si një simbiozë e pashtershme që asnjëherë nuk bën dëm po lezeton më tepër jetën.
Ata janë shëmbëllturë nga i njëjti vend, nga Shqipëria plot halle e derte. Tragjedia e tij është populli dhe ai di si ta shprehë këtë.
Publiku pret përsëri një film, gjithmonë e do një film të ri nga ai, sepse legjendat lezetojnë kulturën shqiptare.
Hakërrim (recituar nga Reshat Arbana)
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!
Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!
Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!
Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!
Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!
A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!