Qershia është një frut i këndshëm që konsumohet dhe pëlqehet shumë nga njerëzit. Sheqeri që ky frut përmban tretet lehtë në organizëm, prandaj mund të konsumohet edhe nga të sëmurët me diabet, sepse ul nivelin e kolesterolit në gjak.
Frutat e qershisë përmbajnë vlera të larta ushqyese si: vitaminat B1, PP, C, E, acide organike, kripëra minerale të kaliumit, fosforit, kalciumit dhe magnezit, pektinë, rreth 17% sheqer etj.
Në mjekësinë popullore përdoren gjethet e qershisë, bishtat e frutave, lëvorja e degëve dhe frutat. Çaji i përgatitur prej bistakëve të qershisë është i preferueshëm kundër problemeve të lukthit, sëmundjeve të zemrës dhe veshkave, sëmundjeve bronkiale etj.
Lëvorja e degëve të qershisë, eleminon djersët e shkaktuara nga sëmundjet e mushkrive. Shurupi i bërë nga frutat e tyre, jep efekte të provuara për të sëmurët nga tëmthi. Ndërsa çaji, ndihmon në eleminimin e gurëve në veshka.
Kurimi i temperaturave të larta
Bishtat e frutave të qershisë përdoren gjerësisht për vetitë e tyre të mira diuretike dhe për uljen e temperaturës. Për këtë qëllim, merren 100 gr bishta qershie të pjekura mirë dhe vihen të ziejnë në një litër ujë, derisa të mbetet ¾ e sasisë së ujit. Masa e përftuar, kullohet mirë. Lëngu pihet i ngrohtë, nga një gotë uji, 2-3 herë në ditë, para buke.
Ulja e temperaturës
Në kurimin e temperaturave të larta, mund të përdoren me efekt të mirë edhe lëvoret e degëve të qershisë. Në këtë rast, merret 20 gr lëvore degësh qershie, thërrmohen mirë dhe vihen të ziejnë në një litër ujë, derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Nga lëngu i përftuar, i përzier me mjaltë, merret nga një filxhan kafeje, në mëngjes esëll.
Inflamacioni i fshikëzës së urinës
Për të kuruar inflamacionin e rrugëve urinare, këshillohet të merren 50-60 gr bishta qershie të zezë dhe po aq hudhra e qepë. Masa zihet së bashku në 2 litra ujë, për një orë rresht. Pasi kullohet lëngu, merret nga një filxhan në çdo dy orë, i përzier me pak mjaltë.
Kurimi i sëmundjes së sheqerit (diabetit)
Kundër sëmundjes së sheqerit, rekomandohet këshilla:
Merren një grusht bishtash qershie dhe ziehen në një litër ujë, për rreth një orë. Pasi të kullohen, nga lëngu i fituar merren 2-3 gota në ditë, duke e vazhduar mjekimin për 10 ditë rresht. Ky çaj, bën mirë gjithashtu edhe kundër urinimit të shpeshtë dhe sëmundjeve të veshkave, pasi lufton gurët dhe mënjanon formimin e tyre.
Sëmundjet e mëlçisë
Me efekt shumë të mirë te personat që vuajnë nga mëlçia, përdoret kjo kurë:
Merren çdo ditë 1-2 kg qershi të freskëta. Ato lahen dhe konsumohen gjatë gjithë ditës, duke vazhduar kurën për 15-20 ditë rresht.
Pezmatimi i veshkave
Një sasi prej 200 gr bishta qershie të pjekura mirë dhe rreth çerek kg qershi të freskëta (dimrit, mollë të prera në feta), hidhen në 1 litër ujë të valuar dhe qendrojnë aty për 20 min, për t’u regjur. Gjatë kësaj kohe masa ndrydhet me lugë, me qëllim që të shtrydhet sa më shumë lëng prej saj. pastaj, kullohet dhe konsumohet në formë çaji, brenda ditës.
Çaji i bishtave të qershisë kuron gjithashtu sëmundjet e zemrës dhe tëmthin.