Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), njofton se autostrada Tiranë-Durrës do të mbyllet në datën 4 janar, pasi në këtë aks sqaron ARRSH do të bëhen ndërhyrje dhe punime për përmirësimin e situatës së përmbytjeve me ndërtimin e dy tombinove në segmentin Tiranë-Qafë Kashar, në kilometrin 6+600 dhe 6+800.
Duke nisur nga mëngjesi i 4 janarit, do të jetë e pamundur lëvizja në autostradë nga Mbikalimi i Kamzë deri në Mbikalimim e Qafë Kasharit, në të dyja drejtimet. ARRSH ka publikuar dhe planin për devijimin e trafikut.
“Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga data 4 Janar 2019 ora 05:00 në mëngjes, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore do të fillojë ndërhyrja emergjente për përmirësimin e situatës së përmbytjeve me ndërtimin e dy (2) tombinove në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë–Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati & Alba-Elettrica). Punimet parashikohet të realizohen sipas grafikut te punimeve të miratuar.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze sinjalistikën provizore të vendosur dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve:
Autostrada Tiranë–Durrës në segmentin Mbikalimi Kamëz – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.
Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.
Rekomandojmë përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar dhe të shfaqur në media.”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Ky institucion u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.