MENU
klinika

Tërheq vëmendjen

Meta ngre alarmin: Duhet analizë për emigrimin

18.12.2018 - 19:10

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka tërhequr vëmendjen sot për shifrat e emigracionit pas sondazhit të Gallupit të publikuar disa ditë më parë ku Shqipëria renditej e katërta në botë për prirjen për migrim.

Ai tha se kjo është një kambanë alarmi që meriton vëmendje maksimale dhe analizë të thelluar.

Presidenti mori pjesë në veprimtarinë e organizuar në Tiranë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Migracionit, të zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM), që festoi 25-vjetorin e themelimit në Shqipëri ku u vlerësua me çmimin “Për mbështetjen në promovimin e emigrimit me dinjitet, të organizuar e të rregullt në të mirë të të gjithëve”.

Meta-konica.al

Kreu i Shtetit theksoi se e mirëpriti me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet që bashkon dy data të rëndësishme: 25-vjetorin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin – IOM, si dhe Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve.

“Shqipëria nuk mund të ishte indiferente në këtë debat për shkak të historisë së saj, si vend origjine, vend transit dhe vend mbërritje i emigrantëve. Emigrimi ka të bëjë me jetën dhe dinjitetin njerëzor. Ndaj të gjithë duhet të solidarizohemi. në mënyrë të veçantë duhet të kuptojmë gratë e fëmijët.

Migrimi është një fenomen kompleks dhe i vështirë. I jemi mirënjohës BE-së dhe vendeve anëtarë për ndihmën që iu kanë ofruar shqiptarëve në kohë të vështira. Sot Shqipëria bashkëpunon me agjencinë e kufirit dhe rojës bregdetare për menaxhimin e kufirit të jashtëm të BE-së të prekur nga fenomeni i refugjatëve dhe emigrantëve, kryesisht nga vendet e lindjes së mesme.

Këtë partneritet e dëshmon dhe marrëdhënia jonë me IOM-in, prania e së cilës në Shqipëri ka qenë gjithmonë një aset i çmuar si për menaxhimin e situatës së krizave ashtu dhe për ndërtimin e strategjive afatgjata për qeverisjen sa më efikase të emigracionit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Tek IOM kemi gjetur një partner të besueshëm dhe mbështetës për të përballur këtë fenomen në cilëndo formë që është shfaqur”, tha Kreu i Shtetit.

Ai theksoi se strategjia kombëtare për qeverisjen e migracionit që ju do të prezantoni sot është një tjetër produkt konkret i bashkëpunimit efikas mes Shqipërisë dhe IOM-it duke përgëzuar për këtë punë.

“Gjithashtu dua të vlerësoj punën e përbashkët për të nxjerrë anët pozitive të migracionit nëpërmjet angazhimit të diasporës shqiptare si agjent i nxitjes së investimeve serioze të huaja në Shqipëri.

Emigracioni është prej vitesh një element tejet i rëndësishëm në ekonomi, në raport me remitancat që iu vijnë në ndihmë familjeve shqiptare dhe gjithë vendit në rreth 1.15 mld euro ose rreth 12% e GDP-së së vendit. Është shumë e rëndësishme që këto të ardhura të kanalizohen në mënyrën më efikase drejt veprimtarisë që rrit prodhimin vendas dhe zhvillon ekonominë e vendit”, tha Meta.

Por Presidenti nënvizoi se kjo është njëra anë e medaljes. 

“Nga ana tjetër ne duhet të tregohemi vigjilentë ndaj përsëritjes së ciklit migrator të shqiptarëve drejt vendit. Të dhënat e Gallup-it të publikuara javën e kaluar ku Shqipëria renditej në vendin e katër në botë, me prirjen më të lartë për emigrim padyshim që janë shqetësuese.

Kjo është një kambanë alarmi që meriton vëmendje maksimale dhe analizë të thelluar mbi shkaqet dhe motivet që i shtyjnë bashkëqytetarët tanë drejt kësaj vendimmarrjeje të dhimbshme dhe dëshpëruese.

Ky fenomen përveç se e plak Shqipërinë dhe shoqërinë tonë varfëron burimet më të mira profesionale dhe intelektuale duke dekurajuar zhvillimin e qëndrueshëm e më të shpejtë të vendit”, tha Meta.

Ai deklaroi se edhe FMN vërejti me shqetësim se Shqipëria ka nevojë për rritje më të lartë ekonomike dhe për investime më shumë në sektorë prioritarë si arsimi e shëndetësia për të zbutur prirjen e popullsisë për të emigruar.

“Ndaj le të punojmë të gjithë së bashku për t’u dhënë më shumë besim, sidomos të rinjve duke iu krijuar atyre kushte dhe mundësi më të mira për arsimim dhe punësim në mënyrë që të shprehin potencialet e tyre të vërteta në vend por edhe potencialet e të gjithë vendit për një zhvillim më të shpejtë e më të qëndrueshëm”, apeloi Kreu i Shtetit.

Drejtorja Rajonale e IOM-it për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Argentina Szabados, para se t’i jepte çmimin Presidentit të Republikës u shpreh:

“Këtu dëshiroj të huazoj fjalimin e shkëlqyer e të mbajtur në kohën e duhur nga Presidenti Meta në sesionin e veçantë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për miratimin e Kompaktit Global për Migrimin në Marok javën e kaluar. Migrimi dhe përgjigja jonë ndaj tij ka të bëjë me të drejtat e njeriut, me të drejtat e fëmijëve, me administrimin e kufijve, me kostot financiare, kohezionin shoqëror dhe sovranitetin. Ne nuk duhet ta lejojmë veten që të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore. Përkundrazi ne duhet të fuqizohemi për të krijuar dhe mundësuar një migrim më njerëzor, një mekanizëm më me dinjitet e të sigurt për të qeverisur migrimin.”, – u shpreh Szabados.