MENU
klinika

Raporti i Këshillit të Europës

Paratë pastrohen në prona dhe bixhoz

18.12.2018 - 15:27

Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të luftuar fenomenin e pastrimit të parave, ndërkohë që në disa drejtime ka pasur përkeqësim gjatë viteve të fundit” Raporti i Moneyval, komitet i Këshillit të Europës për parandalimin e pastrimit të parave, vlerëson se korrupsioni dhe krimi i organizuar, i përhapur në të gjithë Europën, janë burimi kryesor i parave të pista.

Këshilli i Europës në këtë raport e vë theksin te mungesa e rezultateve nga autoritet, prokuroria dhe gjyqësori, duke theksuar se, numri i të dënuarve për këtë vepër penale ka rënë.

Ndër të tjera, Këshilli i Europës nënvizon edhe faktin se, konfiskimi i pasurisë së personave juridik apo fizik të përfshirë në aktivitete të tilla si pastrimi i parave është një vegël që nuk funksionon, ose më saktë nuk korespondon aspak me nivelin e aktivitetit kriminal në vendin tonë.

Qeveria shqiptare këshillohet të bëjë përpjekje më të mëdha për të lokalizuar ata që bëjnë pastrim parash dhe për të konfiskuar pasuritë e tyre.

Dokumenti thotë se, sektorët më të prekur janë ai imobiliar, dhe ai i bixhozit. Të dy këta sektorë përdoren masivisht nga krimi i organizuar për të pastruar paratë. Nga ana tjetër edhe noterët vlerësohen si një hallkë mjaft e rëndësishme e skemave të pastrimit të parave.

Përmirësim të ndjeshëm ka pasur në drejtim të kompanive që merren me transferimin e vlerave monetare dhe për pikat e këmbit valutor, edhe pse dokumenti thekson se edhe këtu vazhdojnë skemat e pastrimit të parave, por në masë më të vogël.

Sa i përket rasteve të pastrimit të parave nga individë të huaj, Këshilli i Europës vë theksin te fakti se, hetimet në Shqipëri janë të mangëta duke qenë se bazohen ekskluzivisht te hetimet jashtë vendit.