Monedha e përbashkët ka ndalur rënien në tregun e brendshëm për herë të parë që nga data 8 nëntor.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.03 lekë, duke u rritur me 0.34 lekë në krahasim me ditën e mëparshme. Kjo është rritja më e madhe ditore që nga 7 qershori, kohë kur monedha e përbashkët u rrit për shkak të fillimit të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë.
Ekspertët e këmbimit valutor pohojnë se dy janë arsyet kryesore të kësaj rritjeje.
Së pari, gjatë tre ditëve të fundit për shkak të Krishtlindjeve janë rritur blerjet e konsumatorëve dhe bizneset sot kanë nxituar të dorëzojnë në banka paratë, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e qarkullimit të parasë në monedhën vendase.
Së dyti është vënë re një kërkesë e shtuar për valutë, me individët që kanë nxituar të blejnë euro, pasi blerja e saj ishte tepër e leverdishme nga njëra anë dhe nga ana tjetër, individët që do të kalojnë pushimet jashtë vendit po këmbejnë valutë.
Që nga mesi i muajit shtator, pasi Banka e Shqipërisë ndaloi ndërhyrjet në tregun valutor, euro ka rënë me shpejtësi në tregun vendas, duke arritur rekordin më të ulët të dekadës së fundit, deri ditën e djeshme, kur zbriti në 122.69 lekë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pohoi pak ditë më parë se banka ka blerë më shumë se 400 milionë euro valutë, ndërsa tha se arsyet e nënçmimit të euros lidhen me konvertimet e kapitalit të bankave dhe disbursimin e një kredie të BERZH, që kishin në total një efekt prej 300 milionë eurosh. Përveç kësaj, ka ndikuar dhe rritja e eksporteve e investimeve të huaja që kanë shtuar ofertën për valutë në treg.
Sejko tha se është e vështirë të parashikohet se si do të jetë kursi i këmbimit në të ardhmen, ndonëse Banka preferon që ai të jetë sa më i qëndrueshëm, shkruan Monitor.