Partia Demokratike ka reaguar sërish për çështjen e dytë të Unazës së Re ku maxhoranca akuzohet se ka ndryshuar planin urbanistik për të favorizuar një plan ndërtimi të Edmond Begos.
PD i quan qesharakë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrin e Finanacave Arben Ahmetaj të cilët sipas saj synojnë të mbulojnë skandalin tjetër në zonën pranë Unazës së Re.
“Edi Rama detyroi sot Erion Veliajn dhe Arben Ahmetajn të bëhen qesharakë në sytë e shqiptarëve.
Duke bërë sikur nuk kuptojnë për çfarë kanë firmosur, ata synojnë të mbulojnë skandalin tjetër në zonën pranë Unazës së Re.
E vërteta, e bazuar në dokumente është se Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë ndryshuar Planin Urbanistik të Tiranës, në mënyrë që Lumi i Lanës të mos prekë tokën ku Edmond Bego do të investojë 60 milionë euro para të pista”, deklaron PD.
Sipas saj, ‘e vërteta është se privatizimi i zonës së ish Serave është bërë me firmën e Arben Ahmetajt’ duke i drejtuar disa pyetje kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Veliaj.
“Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet t’u thonë shqiptarëve:
– Pse u ndryshua Plani Urbanistik i Tiranës dhe pse u devijua Lumi i Lanës në zonën ku planifikon të ndërtojë Edmond Bego?
– A ka aplikuar Edmond Bego për leje ndërtimi me projektin e hartuar nga kompania italiane MISALAB?
– A ka regjistruar në hipotekë Edmond Bega pronat për efekt të ndërtimit të pallateve?
– A do të prishen banesat e 200 familjeve për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve nga Edmond Bega?
Partia Demokratike e ka të qartë se Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk mund të përgjigjen dot, sepse janë pjesë e projektit mafioz për pastrimin e parave të pista të krimit”, deklaron PD.