MENU

Profil/ Uinston Çërçill

“Politika nuk është lojë, është biznes”

22.12.2018 - 15:51

Më 8 maj 1945 Uinston Çërçill iu drejtua turmës së ngazëllyer nga një ballkon i Whitehall dhe tha “Në të gjithë historinë tonë të gjatë, ne kurrë nuk kemi parë një ditë më të madhe se kjo.” Çërçill kishte luftuar kundër Hitlerit dhe kishte fituar.

Por kush ishte Uinston Çërçill?

Edhe pse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli që nga vdekja e tij, Çërçill është konsideruar nga shumë njerëz si politikani më i madh britanik. Ai shërbeu si kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 1940-1945 dhe përsëri në vitet 1951-1955. Përveçse burrë shteti dhe orator i njohur, Çërçill ishte edhe oficer në ushtrinë britanike, historian dhe fitues i Nobelit për letërsi.

Lindja dhe fëmijëria

Uinston Çërçill( Winston Leonard Spencer-Churchill) ka lindur në Pallatin Blenheim, banesa e gjyshit të tij, Duka i 7-të i Marlborough, më 30 nëntor 1874.

Babai i tij, Lord Randolf, ishte një politikan i shquar konservator dhe nëna e tij e bija e një financuesi të Nju Jorkut. Randolf, duke besuar se djali i tij ishte akademikisht i papërshtatshëm për politikën apo ligjin, e kishte vendosur në klasën e ushtrisë.

Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst

Çërçill u regjistrua në Sandhurst si një kadet zyrtar në shtator 1893, megjithëse iu deshën tre përpjekje për të kaluar provimin pranues.

Aventurat perandorake

Çërçill u bë një oficer kalorës në Hussars 4 (Queen’s Own) në shkurt 1895. I punësuar gjithashtu si gazetar lufte, kaloi ditëlindjen e tij të 21 në Kubë. Një vit më vonë Çërçill lundroi për në Indi dhe në vitin 1898 në Sudan. Tashmë i vendosur për të ndjekur një karrierë në politikë, ai ndiqte lajmet politike nga shtëpia. I shqetësuar nga mungesa e arsimimit universitar, ai lexonte në mënyrë të pandërgjegjshme, madje dëgjonte edhe debatet e vjetra parlamentare.

Fama

Republikat Boer shpallën luftë në Britani më 11 tetor 1899 dhe Çërçill udhëtoi për në Afrikën e Jugut për të mbuluar konfliktin si korrespondent lufte. Më 15 nëntor, ai ishte në një tren të armatosur në Natal kur ai u sulmua. Ai u kap dhe u burgos në Pretoria. Më 12 dhjetor, ai u arratis, u hodh në një tren që kalonte, duke u fshehur nëpër thasë. Kur u kthye në Britani, historitë e tij të çuditshme e bënë të famshëm.

Zgjedhje në Parlament

Fama e re e lejoi Çërçillin të shtonte ambiciet e tij politike. Në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 1900 u bë deputet në Oldham. Çërçilli mbajti fjalimin e tij të parë në Parlament në vitin 1901. Çërçilli nuk kishte frikë të kundërshtonte shefat e partisë.

“Ngjitja e shkallëve” në parti

Që nga maji i vitit 1903 Çërçilli, u gjend në kundërshtim pothuaj me pjesën më të madhe të Partisë së tij Konservatore. Ai u largua nga Partia Konservatore dhe u bashkua me Liberalët. Konservatorët, tha ai, i kishin braktisur parimet e tyre, dhe ai i sulmoi ata. Në vitin 1908 ai u bë ministri më i ri i kabinetit që nga viti 1866 dhe reformat sociale që ai filloi me Dejvid Llojd-Xhorxh hodhën themelet e shtetit të mirëqenies.

Takimi me bashkëshorten e ardhshme

Çërçilli u takua fillimisht me Klementine Hozier, në 1904, me të cilën u martua në Westminster më 12 shtator 1908, dhe paten pesë fëmijë.

Betejat e para

Karriera e tij politike ishte e lulëzuar. Në 1911 ai mbikëqyri garën e armëve detare me Gjermaninë. Pas vrasjes së Dukës së Frans Ferdinand në Sarajevë në qershor 1914, Europa ishte në prag të luftës. Ndërsa lufta afrohej, Çërçill ishte i vendosur që Britania duhet të luante rolin e saj. Gjermania pushtoi Belgjikën më 4 gusht 1914, papritur Britania ishte në luftë.

Dorëheqja

Çërçilli u kritikua shumë për një numër dështimesh detare britanike në muajt e parë të luftës. Humbjet  e vendosën atë në qendër të vëmendjes. Plani i Çërçillit, ishte të detyronte aleatin e Gjermanisë, Turqinë, që të dilte nga lufta. Një sulm u nis më 18 mars 1915 në Galipol. Ishte një fatkeqësi. Humbjet ishin të rënda dhe Çërçilli u detyrua të japë dorëheqjen.

Konservator përsëri

Deri në fund të Luftës së Parë Botërore, Çërçilli ishte kthyer në zyrë, por Galipoli ishte ende njollë në reputacionin e tij. Në zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 1924 ai kandidoi për Konservatorët në Epping dhe fitoi. Atij iu ofrua posti i kancelarit që dikur e mbajti babai i tij.

Thirrje në kohë nevoje

Hitleri e pushtoi Poloninë më 1 shtator 1939. Britania ishte përsëri në luftë me Gjermaninë.Çërçill u thhirr përsëri. Deri në maj të vitit 1940, Britania dhe aleatët e saj po e humbnin luftën. Çërçill ishte alternativa e vetme e besueshme për të udhëhequr. Ai gjithashtu mori postin e Ministrit të Mbrojtjes

Udhëheqja pas luftës

Pas trazirave të Luftës së Dytë Botërore, Çërçill u emërua sërish si Lordi i Parë i Forcave Detare. Pas dorëheqjes së Neville Chamberlain më 10 May 1940, ai u bë kryeministër i Anglisë dhe e ktheu Britaninë ne superfuqine e Luftes se Dyte Boterore,duke cliruar pjesen me te madhe te Europes nga Gjermania.

Dalja në pension

Gjatë gjithë jetës së tij Çërçill kishte luftuar kundër depresionit, “qenit të zi”.  Ai mbeti deputet deri në vitin 1964, por e kaloi shumicën e kohës në shtëpinë e tij. Edhe shëndeti fizik i tij linte për të dëshiruar.

Vdekja

Më 24 janar 1965, fiks 70 vjet që nga vdekja e babait të tij, Çërçill u nda nga jeta, kur ishte 90 vjeç.

Udhëheqësit dhe personalitetet e botës u mblodhën për shërbimin e tij të funeralit më 30 janar. Turma të heshtura mbushën rrugët, ndërkohë që arkivoli i tij udhëtoi ngadalë nëpër Londrën qendrore në Katedralen e Shën Palit.  Çërçill u varros në Oxfordshire, pranë vendlindjes së familjes së tij në Pallatin Blenheim, ku ai kishte lindur 90 vjet më parë.

Figurë e pavdekshme

Imazhi klasik i Uinston Çërçillit, përfshin një puro gjigante të mbërthyer në mes të buzëve. Çërçilli u dashurua pas purove kur si një djalosh i ri udhëtoi për në Kubë, për të raportuar si gazetar mbi një kryengritje të vazhdueshme të vendasve kundër qeverisë koloniale spanjolle. Për pjesën tjetër të jetës së tij, ai tymoste 8 ose 9 puro çdo ditë.

Nuk ishte vetëm një politikan i madh, por dhe një orator i shkëlqyer. Edhe pse tani ai nuk jeton më, trashëgimia e tij jeton me shumë prej citateve më argëtuese dhe të mprehta që ka lënë pas.

Aforizmat më brilante

Çërçill ka mbajtur disa fjalime më frymëzuese, të apasionuara dhe më të artikuluara me thënie brilante që ju mbase nuk i keni dëgjuar ndonjëherë, përfshirë këtu edhe fjalimin “ne kurrë nuk do të dorëzohemi”.

  • Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, pas gjithë të tjerave.
  • Një fanatik është dikush që s’mund ta ndryshojë mendimin dhe nuk do të ndërrojë as temë.
  • Gënjeshtra ka bërë gjysmën e rrugës rreth e qark botës, kur e vërteta sapo është nisur.
  • Nëse jeni nisur drejt ferrit, vazhdoni.
  • Është diçka e mirë për një njeri të paarsimuar të lexojë libra me citime. Citimet, kur gdhenden në kujtesë, të japin mendime të mira. Ato gjithashtu të nxisin të lexosh autorët dhe të kërkosh të tjera.
  • Historia do të jetë e sjellshme me mua, pasi kam ndër mend ta shkruaj.
  • E vërteta është e padiskutueshme, e keqja mund ta sulmojë atë, injoranca mund ta përqeshë atë, por në fund, ja ku është.
  • Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.
  • Të përmirësosh do të thotë të ndryshosh; të jesh i përsosur do të thotë të ndryshosh shpesh.
  • Socializmi është filozofia e dështimit, kredo e injorancës dhe ungjilli i zilisë.
  • Kuraja vlerësohet me të drejtë cilësia e parë e njeriut, sepse është cilësia që i garanton gjithë të tjerat.
  • Kritika mund të mos jetë e pëlqyeshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion si dhimbja në trupin njerëzor. Kërkon vëmendje që gjendja e gjërave të jetë e shëndetshme.
  • Të takoheshe me Franklin Roosevelt ishte si të hapje shishen e parë me shampanjë; të njiheshe me të ishte si ta pije shampanjën.
  • Politika nuk është lojë, është biznesi më serioz.
  • Kur lufta e gjigantëve mbaron, atëherë fillon lufta e xhuxhave.
  • Kur heshtin shqiponjat, papagallit nisin të cicërojnë.
  • Çmimi i madhështisë është përgjegjësia.
  • Historia shkruhet nga fitimtarët.