MENU
klinika

Deklarata

Protesta e diasporës, Balla: Nëse do ishim ftuar do kishim shkuar

27.12.2018 - 14:02

Vjen një deklaratë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një kohë kur ditën e nesërme është paralajmëruar një protestë nga diaspora para Kryeministrisë.

Ky i fundit në një prononcim për mediat tha se nëse do ishin ftuar në këtë protestë, PS do të merrte pjesë. Mes të tjerash ai tha se Shqipëria i ka një borxh të madh prej 28 vitesh diasporës, pasi kjo e fundit ka kontribuar në ekonomi.

“Nëse do ishim ftuar, edhe ne do ishim pjesë e protestës së diasporës. E dimë që Shqipëria i ka një borxh gjithë shqiptarëve që jetojnë në çdo cep të territorit dhe në këto vite janë kontributor i ekonomisë së vendit. Për PS e drejta e votës të atyre që jetojnë jashtë territorit ka qenë kushti i vetëm që i kemi kërkuar palës tjetër dhe e kemi bërë edhe këtë kur kemi qenë në opozitë, për të përfshirë në kodin e ri zgjedhor votën e shqiptarëve. Edhe në thirrjen e fundit që bëra ne emër të PS në dy seancat e fundit të Kuvendit, është që të mblidhemi e të votojmë bashkë me opozitës Kodin Zgjedhor që adreson më së miri zgjidhjen. Ndaj në seancë tjetër të mblidhemi dhe të votojmë për këtë reformë. Këta që u merakosën kaq shumë për protestën e diasporës, duhet të bëhen bashkë me ne që të plotësojmë kërkesat e diasporës. Procesi ka qenë i vijueshëm prej kohësh me opozitën.”, tha Balla.

Teksa u pyet në lidhje me faktin se pse policia nuk dha leje për protestën, Balla tha se nuk ka nevojë për këtë gjë. Sipas tij kërkesa e diasporës është e ligjshme.