MENU
klinika

Dita e 8-të

Protestat/ Studentët: Jo negociata, plotësoni kërkesat

12.12.2018 - 11:30

Studentët nuk heqin dorë nga Lëvizja e tyre. Megjithëse ultimatumi i vënë ndaj qeverisë nuk funksionoi dhe nga ana e ministrisë nuk ka përgjigje pozitive për 8 kërkesat e tyre, studentët janë ngritur sërish sot në protesta.

Ata janë mbledhur nga të gjitha fakultetet përpara Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit, një objektiv i qëllimtë i tyre duke kërkuar plotësimin e 8 kërkesave.

Deklaratës së kryeministrit për dialog, studentët i janë përgjigjur se nuk do të ketë asnjë bisedim por veç plotësim të kërkesave të tyre. “Politika ka 28 vjet që na ka sjellë në këtë derexhe. Kur padrejtësitë bëhen ligj, rezistenca bëhet detyrë.

Nuk ka konsensus, plotësoni kërkesat tona. S’ka dialog, s’ka negociata. Është vetëm një firmë. Mjafton të plotësohen 8 kërkesat, është shumë e thjeshtë”, tha një prej studentëve.
Një tjetër studente para kryeministrisë deklaroi se ata nuk duan dorëheqjen e ministres së Arsimit por të plotësohen kushtet. “Nuk duam dorëheqjen e ministres. Kushdo që të vijë do bëjë të njëjtën gjë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona”, tha ajo.

Ndërkohë ndryshe nga ditët e tjera, sot studentët nuk kanë pasur pankarta por fletë të bardha formati në duar. Nuk ka as fjalime me megafon, as folës.

Në Tiranë, një grup studentët janë mbledhur tek Korpusi universitar, ndërkohë që disa studentë kanë qëndruar gjatë gjithë natës para Kryeministrisë. Raportohet se studentët e mjekësisë dhe shkencave kanë shkuar drejt Kryeministrisë, ndërsa Gjeologjiku, Filologjiku dhe Artet tek Ministria e Arsimit.

Tek fakulteti i Mjekësisë gjithashtu janë mbledhur studentë. Nga gjimnazi “Harry Fults” nxënësit, kryesisht maturantët kanë braktisur mësimin për t’iu bashkuar studentëve. Ata kanë shkuar para kryeministrisë ashtu si edhe studentët e Bujqësorit dhe një pjesë e Inxhinierisë.

Nuk mungon as mobilizimi në rrethe. Në Shkodër, u raportua se studentët janë mbledhur dhe disa prej tyre janë nisur drejt kryeqytetit.

Në Korçë studentët kanë nisur marshimin me pankarta në duar. Protesta dhe bojkotim të mësimit ka dhe në Gjirokastër. Gjithashtu dhe studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan janë ngritur në protesta.

Edhe studentët e Sarandës kanë bojkotuar sot mësimin dhe kanë dalë në protestë për plotësimin e kërkesave të tyre. Studentëve iu janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës së mesme ekonomike dhe portat e shkollës janë mbyllur.