MENU
klinika

Deklarata

Rama dy fjalë për Lindita Nikollën dhe Damian Gjiknurin

31.12.2018 - 12:43

Gjatë takimit me gazetarë, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për largimin nga postet të Lindita Nikollës dhe Damian Gjiknurit.

Rama: Meqë fola për Lindita Nikollën, unë dua të them dhe nuk e them për formalizëm dhe e përsëris me krenari, Lindita Nikolla është ministrja që ka bërë atë që nuk e ka bërë asnjë burrë për 20 e kusur vite. Është fakt jo opinion. Është fakt që nëse sot kemi një sistem në Shqipëri ku për të qenë mësues del dhe vepron vetëm merita jote, dhe politika nuk e trajton mësuesin sikur të ishte leckë për arsye të mos arsyet partiake, kjo është meritë e Lindita Nikollës, që i ka kthyer mësuesit autoritetin e munguar. Kush nga ju e ka menduar që do të vinte dita në Shqipëri që për të hyrë në universitet nuk do të kishte asnjë rëndësi se nga vjen, por do të mjaftonte merita. Kush nga ju do ta kishte menduar që në këtë vend të vogël, do të arrinte dita që fëmija i një të pushtetshmi nuk ka shans ti zinte vendin fëmijës së një bariu.

Ligji i Arsimit të Lartë është një nga ligjet më të mira që ka prodhuar Parlamenti i Shqipërisë, është një nga ligjet më gjithpërfshirëse në procesin e ligjbërsjes dhe jo vetëm që nuk është arsye për të larguar Lindita Nikollën por për ta respektuar. Ligjin për arsimin e lartë nuk e ka bërë politika. Ligji është produkt i një grupi njerëzish që janë mbledhur në një komision nga të gjitha rrugët e jetës dhe bindjeve politike. Kush e bëri këtë? Ashtu sikurse do t’i referohemi teksteve të shkollës, kush nga ju e mendonte që do të merrte fund historia e librave të fëmijëve që i shiteshin pa asnjë vlerë. Çështja është të godasësh rrjete të tëra korrupsioni që i godasin ato libra.

Për sa i përket Damian Gjiknurit, nuk është shkarkuar por zëvendësuar. Pa diskutim ka bërë një punë trasnformuese por do të jetë e padiskutueshme kur të shikohet ecuria në sektorin e energjisë. Nuk vidhen më dritat në Shqipëri. Ju ka mbërritur ky lajm që kemi transformim cilësor në sistemin energjetik shqiptar? Kush e bëri këtë? Ai që drejtonte sektorin. Gjatë këtij viti janë përfunduar 21 akse rrugore, janë rehabilituar 250 km rrugë ose 14 akse të dekgraduara komplet? Janë bërë këtë vit nën drejtimin e Damian Gjiknurit. E dini që së shpejti nis puna për aeroportin e Kukësit dhe të Vlorës.

Po hekurudha Tiranë-Durrës e dini që është gati nënshkrimin i kontratës. Po hekurudhën Fier-Vlorë për mallra ka nisur?! Kompani që hynë me dokumente të falsifikuara ka në të gjithë botën. Një ministër nuk gjykohet për kompani që hyjnë me dokumente të falsifikuara por si reagon pas kësaj.

Ku është korrupsioni që ka ndodhur në rastin në fjalë?!