Kryeministri Rama përmes një komunikimi në rrjetin social “Facebook” iu bëri thirrje studentëve të lënë godinën e ministrisë së Arsimit dhe të pushtojnë godinën e kryeministrisë.
Mes tjerash, Rama shtoi se kryeministri është e atyre dhe janë të mirëpritur për të marrë pjesë në një dialog, takim ky i cili do të shërbejë për t’i shpallur luftë korrupsionit në Universitet.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për kusuret e qeverisë. Unë nuk jam njeri që i di të gjitha edhe pse ashtu dukem. Nëse duan të luftojnë korrupsionin, këtë mund ta bëjmë bashkë. Studentët le të rrinë sa të duan në shesh, nuk marrin dot vendime, por as qeveria. Lëreni Monikën dhe Lulin tek ministria. Vendin këtu e keni, pushtoni këtë godinë, kjo është e juaja. Të ulemi dhe të merremi me këtë punë. Nuk është problemi i tarifave”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar rektorët dhe dekanët e Universitete publike se nuk janë konsultuar me studentët për tarifat dhe VKM.
“Nuk ka asnjë nen, tarifë të ligjit që nuk është konsultuar me dekanët dhe rektorët. Lindita Nikolla si të gjithë të tjerat ka të metat e veta, por është konsultuar për çdo gjë me ju edhe për VKM dhe ju nuk konsultoheni me studentët? Nuk ua patëm borxh”- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka pritur që studentët protestues të dënonin sjelljen ndaj Ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Gjatë komunikimit për studentët sot, Rama shprehu habi për sjelljen ndaj ministres, pasi vetë studentët e kërkuan.
Ndërkohë ai tha se kjo ishte vepër e një grupi protestuesish profesionistë nga Ujësjellësi i Kamzës.
“Nuk futet dot qeveria me buldozer në Universitet. Kam pritur që ata që janë në protestë të dënojnë atë që u bë me ministren. Ata që e kërkuan e pritën siç nuk duhej. Për çfarë arsye? Si nuk ka mundësi që nuk i thatë ministres ‘na fal’.
Ka një grup që janë protestues profesionistë, nga ujësjellësi i Kamzës dhe dalin atje me shishe që i gjuajnë njerëzit”, tha Rama.
Nga ana tjetër ai iu premtoi studentëve se do të shkarkohen të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në bordin e administrimit dhe do i zgjedhin studentët.
“Do shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në bordin e administrimit. Por nuk bëj asnjë lëvizje pa ardhur këtu të flisni. T’i vini, fytyrën, zemrën kësaj çështje. Do e zgjidhni ju përfaqësuesin në Bordin e Administrimit, si të doni zgjidheni ju. E s’keni pse të keni më dhimbje koke”, tha Rama.