MENU
klinika

Pas Sirisë...

SHBA, tërheqje edhe nga Afganistani?

21.12.2018 - 18:24

Pas planeve për tërheqje nga Siria, nga Uashingtoni mbërrijnë lajmet se trupat amerikane do të tërhiqen në një numër të konsiderueshëm edhe nga Afganistani.

Raportimet në mediat amerikane tregojnë se më shume se gjysma e 14 mijë trupave që ndodhen atje mund të largohen brenda disa muajve.

“Nëse je taleban, Krishtlindja për ju ka ardhur më herët”, deklaroi një zyrtar i lartë për AFP-në nga Kabuli, duke komentuar lajmet për tërheqjen e mundshme amerikane. Lëvizja surprizë i dëshpëron më së shumti zyrtarë e diplomatë të përfshirë në përpjekje të ethshme për t’i dhënë fund konfliktit 17-vjeçar në Afganistan, ku talebanët ende mbajnë nën kontroll një pjesë të madh të territorit.

Planet për tërheqje të pjesshme nga Afganistani nuk janë konfirmuar ende nga zyrtarë në SHBA, ndërsa në Afganistan lajmi është pritur me deklarata që përjashtojnë probleme për sigurinë edhe nëse amerikanët ikin.

Zëdhënësi i Presidencës tha se fakti që do të ikin nga Afganistani ato pak mijëra trupa që kanë rol parësor këshillimin dhe mbështetjen teknike, sipas tij, nuk do të ketë ndikim në situatën e sigurisë.

SHBA ka një prani ushtarake në Afganistan që prej vitit 2001, duke shënuar dhe luftën më të gjatë në histori ku janë të përfshirë amerikanët. Njeriu kryesor që kërkohej prej amerikanëve si përgjegjës i sulmeve të 11 shtatorit, Osama bin Laden u vra 11 vjet më vonë në Pakistan.