Rehabilitimi apo riedukimi postural, i quajtur gjithashtu, gjimnastika posturale, bazohet në një sërë ushtrimesh që kanë për qëllim rikthimin e gjendjes së ekuilibrit të trupit në nivelin muskulor dhe skeletik.
Riedukimi postural përfshin zonat ku paraqiten tensione dhe dizekuilibra, në mënyrë që të rikthejmë harmoninë dhe mirëqenien trupore, nëpërmjet ushtrimeve fizike të caktuara
Çfarë është edukimi postural?
Dhimbjet, bllokimi i artikulacioneve (kyçeve), tensionet muskulare, janë mesazhe që na dërgon trupi, për të na sinjalizuar mbi situata të dizekuilibrit.
Gjimnastika posturale ka si qëllim të rivendosë këtë ekuilibër të humbur. Kush dëshiron të fillojë seancat e riedukimit postural, pikë së pari duhet t’i drejtohet një specialisti, i cili është i aftë për të individualizuar shkaqet e ndryshimeve posturale dhe të identifikojë ushtrimet më të përshtatshme për të vepruar në zonën që do të trajtohet.
Kur është i nevojshëm riedukimi postural:
– Gjimnastika posturale është e domosdoshme në prani të problemeve me shpinën ose të çrregullimeve të lidhura me mbajtjen e qëndrimit jo korrekt të trupit;
– Ajo rezulton si një trajtim i dobishëm pas operacioneve kirurgjikale, në rastin e ndërhyrjeve në zona të caktuara muskulore apo të kyçeve;
– Gjimnastika posturale është një teknikë e vlefshme reabilituese, veçanërisht në rastin e vendosjes së protezave të gollganeve , operacioneve të meniskut, distorcioneve të ndryshme (nxjerrjeve) etj;
– Ajo përdoret gjithashtu në prani të skoliozadeformimeve apo qëndrimeve të deformuara në nivel të shpinës, mesit, qafës, apo të artrozave;
– Normalisht riedukimit postural i nënshtrohen të gjithë njerëzit që vuajnë nga dhimbje, bllokime e tensione muskulare;
– Gjimnastika posturale është një metodë efikase për parandalimin e problemeve të artikulacioneve apo ato skeleto- muskulare;
– Ajo është veçanërisht e nevojshme për personat që bejnë jetë sedentare, duke kaluar orë të tëra ulur në tryezën e punës , por gjithashtu edhe për ata që qëndrojnë në këmbë për një kohë të gjatë.
Si funksionon riedukimi postural dhe cilat janë përfitimet:
Ushtrimet e gjimnastikës posturale rrisin elasticitetin dhe tonifikimin e muskujve nëpërmjet pozicioneve që zgjasin muskujt. Në raste të tjera përmirësojnë forcën dhe qëndrueshmërinë, nëpërmjet veprimeve dhe ushtrimeve për zhvillimin muskulor.
Riedukimi postural ndikon në procesin e frymëmarrjes dhe kapacitetit lëvizor, nëpërmjet disa teknikave të caktuara. Nuk duhet harruar gjithashtu se disa ushtrime posturale kontribuojnë në përballimin e stresit.
Kjo disiplinë bazohet në veprimtarinë korrektuese mbi posturën (qëndrimin trupor) e gabuar, e cila në mënyrë të pavetëdijshme kthehet në qëndrimin tonë trupor të zakonshëm.