Dita e sotme shënon ditën e dhjetë që studentët kanë bojkotuar mësimin për të zhvilluar protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ditën e sotme ata janë mbledhur para Kryeministrisë, duke theksuar se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, kanë dalë sot me një apel për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë.
Pasi e kanë diskutuar mes tyre, ata i janë drejtuar me thirrje kreut të Kuvendit dhe kryeministrit të mbledhin Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme.
“Të mblidhet Kuvendi, të flitet për kërkesat tona dhe të miratohen ashtu si tha kyeministri Rama”- thanë protestuesit.
Pasi kaluan natën para Kryeministrisë, pavarësisht motit të ftohtë dhe me shumë reshje shiu, nis grumbullimi i studentëve nga fakultete të ndryshme para zyrës së Ramës.
Ata janë mbrojtur me mushama dhe kanë përsëritur për mediat se nuk lëvizin nga kërkesat e tyre të bëra tashmë publike e për të cilat presin zgjidhje nga Kryeministri dhe jo negociata.
Ashtu si edhe ditët e tjera, në këtë ditë të dhjetë të protestës, studentët u grumbulluan prej orës 08:30 pranë fakulteteve të tyre dhe në 10:00 ishin tek Kryeministria, për të protestuar.
Ata kanë vijuar me apelin për plotësimin e 8 pikave, duke theksuar se për plotësimin e tyre nuk ka asnjë nevojë për dialog.
“Nuk ka nevojë për dialog, na plotësoni 8 pikat e kërkesës”, thonë protestuesit.