Pas dy javësh protestë në fakultete, rrugë dhe para kryeministrisë, studentët njoftojnë se ditën e premte do t’i japin fund protestave për t’u rikthyer në janar nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Të paktën ky është qëndrimi i shprehur nga disa studentë të cilët paralajmërojnë dhënien fund të protestës së stërzgjatur duke nisur nga e premtja e kësaj jave.
Pavarësisht faktit se protesta nuk ka një përfaqësi, ky është qëndrimi më i përhapur mes grupeve studentore për të mbyllur protestën pasnesër, por me paralajmërimin se mund të rikthehen sërish në janar nëse qeveria nuk realizon tetë kërkesat.
“Nëse nuk plotësohen, do të rikthehemi sërish në janar”- deklaruan studentët,.
Vendimi i studentëve vjen pas paktit të publikuar nga Qeveria për plotësimin e 8 pikave, ndërsa nga ana tjetër edhe universitetet kanë marrë zotimet për plotësimin e kërkesave. I fundit ishte Fakulteti i Ekonomikut, që pas takimit të Dhori Kules me studentët doli në një deklaratë për plotësimin e kërkesave.
Ndër kërkesat kryesore ishte edhe shtyrja e pagesës së tafirave për studentët si dhe sezoni i provimeve.
Investimet në infrastrukturë, transparenca me fondet si dhe kontrolli i pedagogëve ishin disa nga premtimet e tjera të këtij dekanati që do të marrin zgjidhje brenda muajit janar.
Në kuadër të një klime për dialog, Rama zhvilloi të hënën dhe të martën takime me studentë dhe pedagogë, e konkretisht dje nga Universiteti Bujqësor u shpreh se qeveria do të paguajë 50% të tarifës së studimit për studentët e bachelorit në muajin janar të 2019-s.
Kreu i ekzekutivit ka zhvilluar edhe sot një takim me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, ku sërish është diskutuar për kërkesat e paraqitura të studentëve. Ndërsa pas këtij takimi, Qeveria publikoi planin me tetë pika për zgjidhjen e kërkesave të studentëve.
Në dy ditët e fundit studentët bllokuan rrugët kryesore në Tiranë, më pas protestuan para Kryeministrisë.
Ata vijuan edhe sot bojkotin, ndërsa një pjesë e tyre protestuan sërish përpara Kryeministrisë por ndryshe nga ditët e mëparshme, ata janë paraqitur të pakët në numër.E megjjithatë, studentët janë shprehur përmes njoftimeve nëpër rrjetet sociale se pavarësisht numrit të tyre, e rëndësishme është kauza.
Për nesër, studentët kanë hedhur në diskutim edhe zhvendosjen përpara parlamentit, duke qenë se nesër do të mbahet edhe seanca, ku çështja e tyre të jetë tema kryesore.