MENU
klinika

Buxheti në ekuilibër

Të ardhurat buxhetore arrijnë në 3.3 miliardë euro

27.12.2018 - 13:19

Në 11 muaj të ardhurat e përgjithshme në buxhet arritën në 407.4 miliardë lekë ose 3.3 miliardë euro. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat u rritën me 4.3% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa shpenzimet publike, arritën në rreth 408.7 miliardë lekë me një realizim në masën 93.5% të planit të periudhës.

Me këta tregues, buxheti është pothuajse në balancë, me një deficiti të papërfillshëm, që gjithsesi pritet të rritet në muajin dhjetor, kur tradita kërkon një rritje të fortë të shpenzimeve publike, me qëllim mosdjegien e fondeve të parashikuara.

Ndikim pozitiv te të ardhurat ka pasur akciza nga karburanti, renta minerare, si dhe të ardhurat nga TVSH janë realizuar në masën 98% të planit pavarësisht goditjes që ka dhënë kursi i këmbimit.

Referuar treguesve fiskalë të konsoliduar,  të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 30.2 miliardë lekë, me rritje 9.2% ose 2.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim në masën 100.3% të planit.

Po ashtu, të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 33.7 miliardë lekë, me rritje 4.2 miliardë lekë më shumë se 11-mujori i vitit 2017 dhe  ose 217 milionë lekë më shumë krahasuar me planin.

Financat argumentojnë se krahasuar me 11-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm,  si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu edhe të ardhurat nga dividendi kanë shënuar rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me tejkalim plani me rreth 300 milion lekë paraqitet edhe zëri taksat kombëtare.