MENU
klinika

Janë 1/3 e totalit

Të rinjtë që nuk punojnë dhe as shkollohen

10.12.2018 - 13:03

209 mijë të rinj në vendin tonë, as punojnë e as shkollohen. Afërsisht një në tre të rinj të grupmoshës 15-29 vjeç, as punon e as shkollohet. Shifrat më të fundit i takojnë vitit 2017. Të njëjtat të dhëna tregojnë se, numri i atyre të rinjve në këtë grupmoshë, të cilët janë në marrëdhënie pune fiksohet në 219 mijë, pra thuajse i njëjtë me atë të atyre të rinjve, të cilët nuk bëjnë asgjë.

Gjithsesi, edhe më alarmant, duket fakti se, ndër ata të cilët nuk bëjnë asgjë, pjesën më të madhe, pra rreth 65% e zënë ata të cilët as nuk po e kërkojnë një punë. Vetëm 35% e tyre janë ata të cilët deklarohen si të papunë.

136 mijë të rinjtë, të cilët, përveçse nuk shkollohen, as nuk po e kërkojnë një punë. Mes gjinive, te femrat fenomeni është ndjeshëm më i theksuar, pasi këtu norma e atyre që nuk bëjnë asgjë, ngjitet në 34%, ndërkohë që ndër këto 34%, ¾ janë ekonomikisht jo-aktive, pra që nuk po kërkojnë një punë.

Përhapja e këtij fenomeni gjerësisht te femrat duket se është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një mentaliteti të vjetër, ende të pa ç`rrënjosur. Një studim i pak kohëve më parë, mbi këtë fenomen, i përhapur së tepërmi edhe në Europë gjatë viteve të fundit, theksonte faktin se, Shqipëria është një ndër vendet më problematike në rajon, së bashku me Kosovën.

Problematika duket se është rrjedhojë sa e dembelizimit dhe e mentalitetit, aq edhe e dëshirës për t`u larguar nga vendi.