Të paktën dy persona kanë mbetur të vdekur në Istog të Kosovës, pas një shkëmbimi zjarri mes policisë dhe disa grabitësve të cilët kanë tentuar të vjedhin një bankë në qendër të Istogut.
Mediat në Kosovë raportojnë se njëri nga viktimat është një polic dhe tjetri grabitësi. Polici i vrarë është I.D nga Istogu, ndërsa grabitësit që mbeti viktimë është K.M.
Grabitësi ishte kthyer nga Gjermania para tri vitesh në Kosovë, ku kishte vuajtur një dënim prej 17 vitesh burgim.
“Mund të ju konfirmojë se ka ndodhur një rast në Istog, ku pas një përleshje me armë zjarri, dy persona kanë vdekur, njëri nga ta është një pjesëtar i Policisë së Kosovës”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Xhevat Ibraj.
Policia e Kosovës dyshon se në tentativën për të grabitur bankën ka pasur edhe persona të tjerë të implikuar dhe po punon për arrestimin e tyre.