MENU
klinika

Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull

15.12.2018 - 13:10

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” për vitin 2017  iu dorëzua shtëpisë botuese “Kuteli” me motivimin: “Për botimin e hijshëm e nostalgjik’’, ilustruar grafikisht nga mjeshtri Gazmend Leka, të përmbledhjes me rrëfenja “Tregime të moçme shqiptare”, një prej veprave më mbresëlënëse e më të dashura të letërsisë shqipe të çdo moshe.

Kjo krijimtari e vyer për popullin shqiptar vjen si vepër mjeshtërore e shkrimtarit të madh Mitrush Kuteli.

Persida Asllani, drejtoresha e Biblotekës Kombëtare Shqiptare ia dorëzoi këtë çmim Atalanta Paskos, vajzës së shkrimtarit Mitrush Kuteli.

“… emocionet na jepen sidomos nga Tregime të Moçme Shqiptare nëpër panaire e ndiejmë veten shumë mirë, jo vetëm në çmime” u shpreh Atalanta Pasko, vajza e Mitrush Kutelit e emocionuar për çmimin.

 

Ajo gjithashtu tregoi një episod mbi një vajzë 17 vjeçare që me një kulturë akoma të dobët por me dëshirën e mirë për dijet dhe për librat, donte një autograf nga Mitrush Kuteli pasi mendonte se ishte gjallë.

Ky botim special i përmbledhjes së veprës “Tregime të moçme shqiptare” nga shtëpia botuese “Kuteli” përkon gjithashtu edhe me 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit.

Çmimet e këtij lloji eventi shërbejnë si vlerësim dhe stimulim të botimeve me vlera të spikatura sidomos intelektuale, dhe kjo vjen aq bukur nëpërmjet një kolosi të mendimit shqiptar, Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri).

Ai ka qenë një promotor i ngritjes së Bibliotekës Kombëtare si dhurues i një fondi të pamatë librash të vyer.

Këto lloj çmimesh janë një traditë që shtojnë përpjekjet intelektuale dhe dëshirën për të promovuar lëme të thella të kulturës shqiptare.

Për herë të parë Çmimi Kombëtar “Lumo Skëndo” është dhënë në vitin 2006.

Mbas ceremonisë, me rastin e botimit të librit ‘’Testamenti’’ i Akademikut Sabri Hamitit, u zhvillua një forum në sallën Franceze të Leximit.

Në këtë botim të Akademisë Shkencave dhe Arteve të Kosovës, mori pjesë dhe Akademikja Floresha Dado me studiues të tjerë të njohur si Bashkim Kuçuku, Nysret Krasniqi, Dhurata Shehri, Kastriot Gjika etj.

Vepra ‘’Tregime të moçme shqiptare” jep nëpërmet njëmbëdhjetë rrëfimeve motivet tona popullore, krijimtari të baladave dhe sidomos të eposit të krenikëve, luftrave të shqiptarëve në shekuj.

Nën penën e Mitrush Kutelit ato vijnë në mënyrë rrëfimtare mjeshtërisht për të shprehur dhe monumentalizuar drama të papërsëritshme, të kohës kur shqiptarët ishin në mes të faktorëve pushtues, në ombrellën e së keqes.

Dhe këto tregohen nëpërmjet shumë figurave simbolike si ajo e ngujimit, bajlozët, elementi i Besës, Kreshnikët, Zanat, Rozafatin, “Besa e Kostandinit”, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini”, të kohës së kreshnikëve, pra të shekujve pas zbritjes së fiseve endacake sllave në tokat e Ilirisë “Muji dhe zanat”, “Muji dhe Behuri”, “Ajkuna qan Omerin” e “Omeri i Ri” dhe të kohës së treqind kryengritjeve shqiptare kundër osmanëve, “Shega e Vllastari”, “Turku rrëmbeu një arbëre” dhe “Skënderbeu e Ballabani”.

Ajo është një nga veprat më të mira që tregojnë mitet dhe legjendat shqiptare. ”Tregimet e moçme shqiptare” është një nga librat më të shitur të dy dekadave të fundit; një rekomandim për fëmijët që dëshirojnë fantazinë. Kjo fantazi shprehet aq bukur në rrëfimet e shkrimtarit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një amanet që ka hyrë në historinë shqiptare

“Amaneti i Mitrush Kutelit” – Letra, drejtuar së shoqes…