MENU
klinika

U akuzua nga regjimi komunist

U martua me një aristokrate, por vuajti pasojat e diktaturës!

03.12.2018 - 15:59

Sabri Godo lindi më 8 gusht 1929 në Delvinë ku kreu edhe shkollën fillore. Ishte shkrimtar e politikan i shquar ardhur nga një familje me tradita të thella patriotike e kulturë-dashëse, bir dhe nip i burrave të shquar. Rininë e hershme e kaloi në një ambjent letrash e atdhetarizmi, gjë që shënoi një herë e mirë udhën e tij.

Më pas vazhdoi gjimnazin në Tiranë, të cilin u detyrua ta ndërpriste vitin e tretë, pasi u përfshi aktivisht në luftën antifashiste. Për 23 muaj, nga korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, mori pjesë në të gjitha Luftrat e Brigatës VI, në Shqipëri e Jugosllavi, ku u shqua e më pas u dekorua për trimëri te veçantë.

Shërbeu në ushtri si oficer deri në vitin 1948 e më pas u përjashtua si politikisht i padëshëruar. Në vitin 1953 përjashtohet nga partia komuniste, ku kish aderuar në shkurt 1944.

Këtu fillon edhe kalvari i tij i periudhës së diktaturës. Për shkak të martesës me një vajzë nga familjet aristokrate dhe të përkatësisë familjare, intelektualë të shquar, kundërshtarë të regjimit, të pushkatuar, të burgosur e të arratisur, jeta e tij ka shkuar disa herë në teh të briskut, deri në prag të burgosjes.

Godo njihet si një penë e rrallë, në romanet me karakter historik, ku më të bujshmet e më të diskutuarat janë “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”.

Mbi këto figura që i kalonin përmasat e kombit, ai nuk rreshti së kërkuari. Këto romane janë ripunuar e ribotuar disa herë, janë përkthyer në disa gjuhë dhe vlerësuar lart nga kritika. Si një njohës i thellë i karakterit njerëzor, shkroi me po aq mjeshtëri romanet e novelat mbi luftën, për të cilat u akuzua nga censura e regjimit si shkrimtar i deheroizimit dhe vuajti pasojat.

Në vitin 1974 u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve për “devijim nga realizmi socialist” dhe u dërgua në ‘riedukim’ për 11 vjet (1974–1985). Një veprimtari të dendur ka pasur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, me mbi katër mijë faqe të botuara me fejtone e shkrime kritike.

Në vitet ‘90, u angazhua që në fillim në lëvizjen antikomuniste dhe më 10 janar 1990 formoi Partinë Republikane të Shqipërisë, një parti e djathtë, aleate e Partisë Demokratike, që kish në themel të programit të saj respektimin e pronës private, familjes dhe bashkimin e kombit.

Për tetë vjet radhazi Sabri Godo ishte kryetar i kësaj Partie e më pas dha dorëheqjen per t’i hapur rrugën të rinjve. Nga viti 1998 deri në ditët e fundit ai ishte president nderi dhe Kryetar i Asamblesë Kombëtare të PR.

Sabri Godo ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, 1996-2002 me funksionin e kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.

Gjatë kësaj periudhe dhe më pas, ka luajtur nje rol aktiv në intensifikimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me strukturat Europiane e më gjerë, duke i shtrirë njohjet në nivele të larta personalitetesh të një rëndësie politike të veçantë.

Eshtë i pamohueshem roli i Sabri Godos në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për të cilën ai luftoi për 22 vjet rrjesht, nga dita e parë e krijimit të Partisë Republikane deri në ditët e fundit të jetës së tij. Për këtë populli dhe personalitetet e Kosovës kanë shprehur qartasi mirënjohjen. Eshtë i ditur roli dhe lufta e tij për çështjen e popullit çam, për atë të shqiptarëve në Maqedoni, në Serbi e kudo.

Si bashkëkryetar, në hartimin e dokumentit themelor të shtetit, Kushtetutës së Re të Republikës së Shqipërisë të vitit 1998, ai ka luajtur një rol vendimtar. Shpesh emërtohet si Babai i Kushtetutës. Një njeri aktiv në politikë dhe në fushën e letrave, Sabri Godo ka qenë një nga figurat më me rëndësi në jetën politike shqiptare sidomos në momentet e vështira.

Qendrimet e tij pa mëdyshje në çështjet më delikate dhe të debatueshme, në periudha të ndezura politike dhe përpjekjet për të gjetur rrugën e arsyes, i çuan njerëzit, mediat e politikanët, ta quajnë “Plaku i Urtë”, epitet që në mënyrën më të plotë do të përmblidhte gjithë jetën e tij.

Në 12 dhjetor 2012 Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani i dha Sabri Godos, pas vdekjes “Urdhërin e Skënderbeut” me motivacionin:

“Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë e vizionar, me kontribut të çmuar në proçeset demokratike, shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit e vendit të tij”

Në 14 dhjetor 2012, Presidenti i Republikës Italiane, Shkëlqesia e tij, Giorgio Napolitano i ka akorduar Sabri Godos, titullin e nderit “Commendator” me motivacionin:

“Në konsideratë të meritave të veçanta dhe me propozim të Presidentit të Këshillit të Ministrave, me dekretin e datës 27 dhjetor 2011, i dorëzon zotit Sabri Godo, Titullin e nderit “Commendator”, me të drejtën per të gëzuar nderimet e larta përkatëse dhe për t’u regjistruar në librin e Commendatorë-ve”.

Me datë 3 dhjetor 2011 Sabri Godo u nda nga jeta pas një beteje me një tumor në mushkëri. Varrimi u bë me datën 4 dhjetor në varrezat e Tufinës, Tiranë.

Vendimi i Qeverisë:

1. Shpalljen zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30, ditën e diel, datë 04.12.2011, në nderim të të ndjerit, z.Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar;

2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 të mbahet një minutë heshtje;

3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 04.12.2011, ora 12.30 deri 14.30, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;

4. Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar, të transmetojë muzikë funebre;

5. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme;

6. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Më 10 maj 2013, Bashkia e Tiranës zbuloi bustin e Sabri Godos pranë Kuvendit të Republikës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN