MENU
klinika

Opinion

Ushtarakë-zim apo policim?!

13.12.2018 - 14:24

Propozimi i ri i Ministrit të Brendshëm, për rekrutimin e oficerëve ushtarak në rradhët drejtuese të Policisë së Shtetit, është një masë e nxituar që duhet diskutuar.

Nëse ky projekt-amendament miratohet e futet në Ligjin e Policisë së Shtetit mendoj se preken disa baza e parime mbi të cilat është ngritur institucioni i Policisë në demokraci. Pa paragjykuar për hartimin e propozimin e këtij projekti nga ministri e udhëheqës të tjerë madhor me arsim të mirëfilltë ushtarak, shtrojmë pyetjet: – A i mungojnë Policisë së shtetit drejtuesit e aftë ?

I ka kryer apo jo detyrat kjo polici që ti katapultohen drejtues nga rradhët e ushtrisë për ta përmirësuar atë ? A ka ndonjë analizë të tillë nga vet Policia që të ketë dalë njëzëri me këtë konkluzion? A e ndihmon apo e dëmton ky projekt progresin e policisë?

Të gjithë krerët e MPB dhe Policisë së Shtetit, nga e djathta dhe e majta, kur emërohen në detyrë deklarojnë se policia që gjetën ka pasë plot të meta, se paraardhësit nuk kanë punuar mire, se duhen reforma dhe në fakt janë mjaftuar me disa ndryshime karrigesh. Edhe ministri i fundit i dorëhequr, shpalosi “vizionin e ri” të policies, për një polici model rajonal por nuk ndryshoi ndonjë gjë. Pavarësisht nga detajet, në të gjitha rastet e mëparshme është synuar reformimi nga brenda i institucionit.

Propozimi i ri i ministrit Lleshaj është ndryshe, sepse kërkon përmirësime të policisë nga jashtë instiucionit, me prurje oficerësh nga ushtria?! Pra, të merren oficerë të ushtrisë dhe mbasi të natyralizohen disa javë apo muaj nëpër trajnime policore, do të marrin drejtimin e disa sektorëve të policisë?!

Duket si çudi që me një të rënë të shkopit, të injorohen diplomat e shkollat policore. Që të bëhen drejtues të ardhurit ushtarakë duhet të kenë grada të larta policore, të cilat vendosen në bazë të ligjit përkatës, me afate kohore, performancë dhe testim. As gradat e ushtarakëve nuk konvertohen dot në policore.

Por le të supozojmë se kjo do të zgjidhet me ndonjë “modus”, se në polici ka përvojë të tillë. Le të pranojmë për një moment se i gjithë kontigjenti do të jetë i përzgjedhur si për nga cilësitë ushtarake edhe ato personale. Pra, është menduar që këta të ardhur, në vijë vertikale të zëvendësojnë shefat, drejtorat në njësitë e organizuara të policisë, në komisariate, qarqe etj.

Si mund të jenë ata kaq të aftë e të shpejtë për t’u adoptuar e integruar me punën e profesionin e policit të thjeshtë madje sa ti drejtojnë ata? Mundet ata të ”harrojnë” apo të “pastrohen” nga një formim e një jete me edukum ushtarak? Nuk mundet që të jenë policë më të mirë se policët e diplomuar në Akademinë e tyre, e specializuar për këtë drejtim dhe mjaft prej tyre edhe me dy fakultete! Dalin shumë pyetje pa përgjigje.

Oficerët ushtarakë, të nderuar për profesionin e tyre, nuk kanë formimin e duhur të ndjekin hetimin e krimit, menaxhimin paqësor të situatave, protestave, grevave, punën e fshehtë operacionale ndaj autorëve të trafiqeve, kriminelëve etj. Tashmë ekziston dhe po standartizohet një shkollë bazë dhe një Akademi e lartë ku përgatiten oficerë policie. Pa llogaritur këtu vitet e punës në terren si patrullues, inspektor të thjeshtë. Në fund të fundit, edhe në parim doktrina ushtarake dhe doktrina policore nuk janë më motër e vëlla si dy shekuj më parë.

Edhe formimi ushtarak dhe ai policor nuk gjejnë përputhje as afrim midis tyre, përkundrazi ato divergojnë. Ushtaraku përgatitet të kryejë detyra luftarake, të përdorë dhunë të armatosur, veprime me objektiv mbrojtjen e vendit nga kërcënimet armiqësore të huaja. Ai duhet të veprojë në krah të policisë dhe nën drejtim civil në raste të shkeljes së rëndë të rendit publik ose të asistojë popullsinë në raste situatash me përmasa katastrofike, të pamundura për t’u zgjidhur pa disiplinë e armë.

Ndërsa polici ka detyrë të zbulojë e të godasë rreziqet që i vijnë shoqërisë nga brenda si rezultat i veprimit të krimit e kriminelëve. Policia ka për mision mbrojtjen e të drejtat e qytetarëve në kohë paqe, të shmangë si dhe të parandalojë çdo vepër që cënon rendin publik dhe individin. Gjithmonë duke vepruar me metoda policore, brenda kufijve të ligjit, sipas të cilit askush nuk është fajtor pa u dënuar nga një gjykatë e pavarur. Në shumë drejtime profesioni polic sa vjen e bëhet më tepër inteligjent.

Ai është komunikim, logjikë, psikologji, edukim juridik krahas lëndëve të mirëfillta policore që zhvillohen deri në master. Dhuna e përdorur nga policia në raste manifestimesh vendoset vetëm nga një autoritet civil dhe presupozon gjithmonë ruajtjen e jetës dhe dinjitetit të kundërshtarit që nuk është armik i vendit.

Projekt ligjit apo udhëzimit të mësipërm i duhet të përballet edhe me trendin e zhvillimit të policisë së vendeve demokratike perëndimore. Policia moderne të cilën po e ndërtojmë edhe ne shqiptarët, ka një vijë zhvillimi të njëjtë të ndjekur nga demokracitë e mëdha, si Anglia, Franca, SHBA etj. Anglia është vendi ku lindi për herë të parë policia me tiparet e sotme dhe ku gjendet argumenti më i fortë për të kuptuar karakterin kontrovers të propozimit të bërë.

Në Anglinë e shek.19, forcat policore ishin një me ato ushtarake. Pra çdo detyrë në fushën e ruajtjes së rendit, të goditjes së krimit, i përkiste ushtrisë. Përjashtim bënin krimet e lehta të cilat ndiqeshin nga vullnetarë me pagesë. Kësulat e kuqe, emërtim i përdorur për ushtrinë angleze, i turreshin demonstruesve duke tejkaluar çdo limit në përdorimin e dhunës.

Gjatë zhvillimit të një proteste në 1819, kalorësia ushtarake vrau e plagosi qindra protestues. Më pas, kjo formë e ruajtjes së rendit u ndalua me dekret mbretëror. Prandaj, në Anglinë e asaj kohe lindi nevoja e një force të re policore, me detyra e ligj të veçantë nga ushtria. Kjo u realizua nga Sr.Robert Peel, i cili krijoi policinë “boob-sat”, pjesë e policisë metropolitane të Londrës, një forcë profesionale, e shkëputur nga ushtria.

Madje, për të theksuar akoma më shumë ndarjen, edhe uniformën e shndërroi në blu, e cila vazhdon të përdoret sot kudo në polici, duke u alternuar me ngjyrën e bardhë, që tregon afrim e respekt për publikun. Sr.R.Peel, njihet më tepër si babai i policisë moderne se sa si kancelar i Anglisë. Midis nëntë parimeve të ndërtimit të një force policore të dhënë prej tij, kryesori është policimi. Kjo nënkupton afrimin e policisë me publikun, integrimin gradual të detyrave policore në publik.

sander lleshi ne qeveri-konica
sander lleshi ne qeveri-konica

Në këtë rrugë kanë rrugëtuar gjithë policitë moderne të botës demokratike, këtë bindje kanë kanë pasur mendimtarët e policisë moderne.

Si rrjedhojë e ketij kapërcimi, sot policia kudo në vendet me demokraci të konsoliduar nuk është forcë ushtarake, por një profesion publik si administrata e nëpunësve civilë në përgjithësi.

Ka shembuj që tregojnë se në disa polici europiane nuk është qëlluar me plumb të vërtetë mbi njerëzit, prej disa dekadash. Vetëm në vende ende me demokraci të brishtë, polici nuk respektohet siç duhet, qëllohet, gjakoset, figura e tij stigmatizohet, por një gjë është e sigurtë, publiku e do policinë dhe pa të nuk bën dot.

Vaksinimi i policisë me përmbajtje ushtarake duket jo vetëm si nënvleftësim,por është kundër rrymës dhe progresit të saj, të asaj policie që duhet të ndërtojmë.

Policia jonë ka nevojë të respektojë parimet e normat e policive europiane e SHBA, të cilat prej vitesh, me misionet e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar për të arritur ku jemi sot. Parimi i policimit në komunitet duhet të mbetet busulla e vetme si për udhëheqësit politikë edhe drejtuesit policorë.

Policisë sonë nuk i mungojnë forcat e afta, të disiplinuara që e duan profesionin. Reforma janë ato që duhen kryer për t’i rezistuar kohës dhe jo të vazhdohet me arnime të cilat harrohen dhe çvidhosen sa herë që ndërrohen karriget e pushtetit.

Modelet policore të demokracive të mëdha na tregojnë si drejtime kryesore, rritjen e standarteve të arsimit policor, akreditimin dhe forcimin e shkollave akademike, përshtatjen e aftësive të drejtuesve me detyrën, forcimin e disiplinës por jo e konceptuar vetëm si rresht, zhdukjen e korrupsionit në rradhët e policisë, rritjen e kualifikimit shkencor duke ç’rrënjosur plagjiaturat dhe mediokritetin.

Prof.Dr. Stavri Sinjari