Pretendenti i ri për blerjen e Telekom Albania, Vivacom, është kompania më e madhe bullgare e telekomunikacioneve, me rreth katër milionë klientë. Por, vitet e fundit, ajo është përfshirë në një konflikt ligjor për pronësinë e paketës kontrolluese të aksioneve. Aktualisht, pronari zyrtar i kompanisë është biznesmeni bullgar, Spas Rusev, por blerja e aksioneve prej tij është kundërshtuar në gjyq nga sipërmarrësi rus Dmitry Kosarev.
Konflikti e ka zanafillën tre vjet më parë, kur ish- aksioneri kontrollues Tzvetan Vassilev, nuk arriti të shlyente një hua prej 150 milionë eurosh te banka ruse e investimeve VTB Capital. Për këtë kredi, Vassilev kishte lënë peng shoqërinë përmes të cilës ai kontrollonte 43% të aksioneve në Vivacom. Menjëherë, VTB Capital i nxorri në shitje shoqërinë në fjalë në ankand dhe fitues rezultoi një konsorcium i kryesuar nga biznesmeni bullgar Spas Rusev, për 330 milionë euro.
Por, biznesmeni rus, Dmitry Kosarev pretendon se zotëron 76% të aksioneve në Vivacom dhe është ai pronari i ligjshëm i kompanisë. Sipas tij, Rusev, me përkrahjen e politikanëve bullgarë, po përpiqen t’ia vjedhin atij kompaninë.
Kosarev pretendon se ai i ka blerë aksionet nga ish-zotëruesi i tyre Vassilev dhe se banka e investimeve e pengoi atë të që të paguante borxhin e aksionerit të mëparshëm, madje as nuk i krijoi mundësinë që të merrte pjesë në ankandin për aksionet e bllokuara.
Gjithashtu, sipas tij ankandi ishte i manipuluar, sepse aksionet u shitën nën vlerën e tyre reale dhe blerësit ishin njerëz të lidhur ngushtë me bankën e investimeve që bëri shitjen. Madje, blerja e aksioneve u financua me një kredi nga vetë banka VTB.
Personi që kontrollon aktualisht Vivacom, Spas Rusev është një biznesmen tejet i përfolur për lidhje me politikën dhe me eksponentë të krimit të organizuar në Bullgari. Ai ka aktivitete biznesi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë bullgare dhe është njëkohësisht pronar i klubit të futbollit të Levskit të Sofias.