MENU
klinika

Nga Pjetër Logoreci

Zoja e Shkodrës në arkivat austriake

10.12.2018 - 18:02

Ka shumë kohë që i ngacmuem nga lidhjet shpirtnore, por edhe ato historike e familjare, kam mendue me shkrue për figuren e Zojës së Shkodrës, shejtneshës pajtore të qytetit tonë. 

Vendi i zanafillës së saj i njohtun nga mbarë njerzimi, faltorja e vogël plot hire e dashni e Zojës së Shkodrës buzë Rozafës, për mue ka nji kuptim të dyfishtë: atë të besimit fetar, por edhe vendin ku në vjetin 1887 u shugurue si prift Imzot Ndre Logoreci (Andrea Logorezzi), një klerik i vyer e atdhetarë i shquem në përhapjen e shkollave e gjuhës shqipe në t’gjithë trevat shqiptare (Kosovë e Maqedoni).

Tuj ditë se, historikisht jeta e muer me t’keq popullin shqiptar, asht nji mrekulli që qindra dokumenta autentikë, dorëshkrime, të botuem e pamorë, ruhen ndër arkivat e bibliotekat e ndryshme austriake, tuj i shërbye kujtdo për me ju referue, me saktësue e publikue informacione të panjohuna ndër dekaka (bile shekuj), të ndodhive kombëtare shqiptare.

Kjo gja m’ka favorizue edhe mue, me zhbirilue nëpër çdo cep e skutë të këtyne arkivave për me gjetë e zbulue të panjohuna që i shërbejnë sado pak kulturës e historisë shqiptare.

Një legjendë e dalë nga Shkodra dhe tashma e njohun në t’gjithë botën, tregon për largimin e figurës së Zojës (Maries me fëmijën e saj Jezusin) nga faltorja poshtë kështjellës, pasi qyteti u pushtue nga hordhitë e egra të osmanllijve. Simbas gojëdhanës figura e famëshme zuni vend në muret e një kishe në periferi të Romës, në Genazzano.

Shëmbullin e Nanës së Përbotëshme, Zojës, e ndoqën mijëra familje shqiptare, të cilat të detyrueme nga mizoritë e brutaliteti i pushtuesit osman, për t’ju shmangur shfarosjes e për të ruejtë familjen e traditat, braktisen vatrat e tyne tuj gjetë strehë ndër vendet fqinje që gëzonin lirinë, e sidomos në viset e jugut të Italisë.

Si gojëdhana e ikjes së figurës së Zojës ashtu dhe qyteti i Shkodres, u banë të njohtun në mbarë botën përendimore. Fati i shqiptarisë u ba objekt i lutjeve nga mijëra besimtarë e pelegrinë që udhëtonin nga katër anët e Europës drejt Genazzanos për të vizitue Nanën e mrekullive e ndihmëtaren e mbarë njerzimit.

Me që në fund të tetorit ishte festa e Zojës së Shkodrës, e cila u shpall si Pajtorja e qytetit të Shkodrës në vjetin 1895 nga ipeshkvijtë e kohës, u vuna me kërkue ndoj send që i përket historisë së figurës së saj, por edhe asaj të Kishës së Zojës rranxë kështjellës e bri Bunës. 

Mundi m’a shperblej me gjetjen e disa librave me vlerë, pronë shekullore e bibliotekave të Vjenës, që u banë shkak për me nisë këtë shkrim, me nda me lexuesin shqiptarë kënaqsinë e kësaj gjetje interesante.

Nga trashëgimitë gojore dhe ato dokumentare, faltorja e vogël e Zojës në lagjen e motëshme Alibeg Mahallasi, u prish, apo u la me u rrenue disa herë, në rrethana të ndryshme ose keqdashje të pushtuesit osman (e ma vonë nga komunistët), të cilët i pengonin shkodranët në lutjet apo proçesionet e tyne në këtë tempull.

E megjithatë populli i Shkodrës, por edhe shtegtarë të ardhun prej viseve tjera, për çdo hall, smundje apo ushqim shpirtnor i drejtoheshin gjithë herë vendit të shejtnuem, Zojës së Kshillit të Mirë.

Po ashtu si populli i Shkodrës dhe ai shqiptar, nji lidhje të pazgjidhëshme me Zojën patën edhe Etnit Augustinian të vendosun në kuvendin e tyne në Genazzano, të cilët ishin edhe kujdestarët e Kishës së Shejtes Mari të Këshillit të Mirë.

Me shfaqjen e Zojës së Shkodrës në Genazzano, jo vetëm vëlleznit augustinianë të Genazzanos e të Italisë, por edhe prifta augustinianë të shumë viseve të tjera europiane, nderimin e figurës së Zojës, e patë qëllim udhëtimesh, pelegrinazhesh e zhvillimit të liturgjive që i kushtoheshin asaj (Zojës).

Siç thashë ma sipër, fati e solli që kto ditë në nji nga bibliotekat e famëshme të Vjenës të zbuloja, e të mbaja në dorë (ndërmjet disa vëllimeve) nji perlë të rrallë, vepër kushtue Zojës së Kshillit të Mirë, ose siç shkruhet edhe në faqet e tij: Zojës së Shkodrës. Nuk përshkruhet gzimi, emocionet dhe knaqsia që pata tue punue me librin të cilin për të mos e humbun, vendosa me e skanue të plotë.

Edhe pse 262 vjeçar, libri ishte i ruejtun mirë. I shtypun në vjetin 1756 në Vjenë, me një teknikë artizanale në punishten shumë të njohun të familjes vjeneze Heyinger, 192 faqet e librit janë nga një material i veçantë e rezistent që nuk është letër e thjeshtë. 

Libri në origjinal mban titullin: “Sittliche Erëegungen von Übertragung der wunderreichen Bildnuß MARIE von guten Rat, aus ALBANIEN nach GENAZZANO“ dhe asht shtypë nën kujdesin e Urdhërit Augustinian të Vjenës me rastin e shtegtimit 9 /ditor nga Austria në Genazzano të priftave augustinianë me qëllim lutjet dhe pastrimin shpirtnor.

Libri hapet me figurën e Zojës së Shkodrës, punue me kërkesen e Augustinianëve të Vjenës, simbas asaj origjinale në Genazzano, nga artisti shumë i njohun vjenez Franz Leopold Schmitner (Kupferstecher, 1703 / 1761), me tekniken e shtypjes mbi gdhënien në bakër.

Figura e Maries që mban në krahnor fëmijën e saj Jezusin, mban mbishkrimin SHEJTJA MARIE E KSHILLIT TË MIRË, poshtë saj mund të lexohet përkushtimi i Etenve Augustinian si dhe në gërma të vogla emni i autorit.

Faqja tjetër ndjekë me titullin e shtypun me shkronja të mëdha:

KONSIDERATA MORALE
për shpërnguljen e portretit të mrekullueshëm të MARIES SË KËSHILLIT TË MIRË, nga SHQIPNIA në GENAZZANO

OSE
9 ditëshi me lutje për gratë shejtnesha dhe NANEN E ZOTIT, MARIEN E KSHILLIT TË MIRË.

Duke shfletue librin, në parathanien e tij, autori ka tregue historinë e figurës së Shejtnores me këto rreshta: “…për këtë figurë të dashtun, tregohet një mrekulli, se si kjo pikturë e shejtë dhe e lashtë, u gjind papritë në një vend jo larg nga Roma, në Genazzano. 

E shkëputun nga muret e një faltores në Shkodër, qi asht një qytet në Shqipni, piktura e Zojës mbi një fletë gipsi e shoqnueme nga besimtarët Gjergji dhe de Sclavis, që sikurse historia e israelitëve, e kaluen detin Adriatik në pak orë pa ju lagun kamba, u vendos në Genazzano… në 1467…”

Mbas parathanies, faqet e librit përmbajnë përshkrimin e 9 ditëve; lutjet, emocionet dhe përshtypjet e pelegrinëve augustinianë gjatë qëndrimit në Genazzano. Lutjet janë të ndame ndër ditë, që pasojnë njena-tjetrën.

Çdo ditë përmban lutje të njohuna për Zojën, por edhe krijime të reja shpirtnore për Zojën e Shkodrës të shkrueme nga etnit, për çka ato përjetojshin aty. Në mbrendi ka edhe shumë LAVDRIME për figurën e Zojës në vargje, në formë poezie 8 deri në 10 strofa.

Ky libër i ruejtun mirë, me vlerën e bukurinë e tij, më solli në kujtimet e ditëve të “Revolucionit Kulturor Bolshevik”, kur si fëmijë në Shkodër përjetova mbylljen e Kuvendeve dhe Kishave, orgjitë e zellin e komunistëve aziato stalinistë dhe spiunve të tyne, që digjnin plot urrejtje male me libra e dokumente historike, dëshmitarë të kulturës të nji populli ndër ma të vjetrit në Europë.

Në fund të këtij shkrimi, një lutje më del nga shpirti:

O Zoja e Shkodrës, …zbutja zemrat njerzve të egërsuem, …fali bukë e dashni femijëve të rrugës që ngrysen pa bukë e pa dashninë prindore, …jepi strehë e shpresë familjeve që luftojnë për mbijetesë, …NDRIÇOJA MENDJEN atyne që kanë zaptue karrigat e politikës…
AMEN

Vjenë, më 4 dhetuer 2018

“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, këto këngë?!”

Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të

Mundësi për të aplikuar në Guinness

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe

“Janë 5 valixhe të mëdha me objekte personale”

Ku do ekspozohet trashëgimia etnokulturore e Musine Kokalarit?