Nga Andreas Dushi
Bota albanologjike përkujton sot 464 vjetorin e të parit libër të shkruar në gjuhën shqipe. Ky libër me përmbajtje tërësisht fetare (aq sa nuk mund të konsiderohet letërsi) është “Meshari” i Gjon Buzukut i cili tregon se si historia e të shkruarit në gjuhën shqipe daton që thuajse pesë shekuj më parë. Edhe pse duket shumë, duhet të biem dakord se në të vërtetë është shumë pak.
Po të kujtojmë se thuajse të njëkohshëm me Buzukun janë Shekspiri apo Servantes, shohim se sa mbrapa vendeve evropiane ishte të shkruarit e gjuhës shqipe. Por gjithnjë ekziston ngushëllimi se mos ndoshta “Meshari” është libri më i moçëm që është gjetur deri më sot, jo domosdoshmërisht vërtetë më i moçmi i shkruar ndonjëherë në shqip.
Duke mos dashur të vendos fakte rreth “Mesharit” të studiuar në mënyrë të lavdërueshme, ama jo aq sa është dashur të studiohej, mjafton të themi se ky libër vendos bazat e të shkruarit në gjuhën shqipe. Po ta krahasojmë me të tjerë autor shqiptarë të mëvonshëm (Bogdani apo Matrënga), shohim se si grafemat e përdorura dhe mënyra e të shkruarit ngjason, çka do të thotë se ka ekzistuar nja traditë paraprake e të shkruarit në shqip në të cilën janë bazuar autorët e mëvonshëm.
Edhe pse nuk përmban asnjë veçori letrare, “Meshari” është baza e letërsisë shqipe pasi për herë të parë gjejmë grafema që i përgjigjen fonemave ekzistuese në të folmet shqipe. Shkruar në diealektin gegë që përdorej në zonën nga ku ishte autori, libri në fjalë nuk mohon ekzistencën e toskërishtes, por tregon se si thuajse i gjithë veriu ishte i krishterë.
Ka studiues që “Mesharin” e quajnë si vepër anti – refomratore, por kjo teori bie poshtë pasi sipas të dhënve historike, rryma e re e luteranizmit mbërrin në Ballkan thuajse tre shekuj pas “Mesharit”, prandaj nuk kishte pse akoma pa ardhur aroma e reformës, të shkruheshin vepra kundër saj.
Studiuesi më i mirë i kësaj vepre dhe vlerave që ajo ka transmetuar është Eqrem Çabej, punimi i të cilit është botuar nga “Botimet Çabej” në dy vëllime mjaft luksoze.
Asnjëherë nuk duhet harruar se cilët janë themelet e kombit tonë pasi vetëm kështu mund t’ja dalim të ecim përpara drejt të tjerë xhevahirësh të çmueshëm me të cilët do të krenohen brezat pasardhës.