MENU
klinika

Por vetëm një pjesë janë mbyllur

AKEP urdhëron bllokimin e adresave të basteve

09.01.2019 - 14:14

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka urdhëruar kompanitë e shërbimit të internetit të bllokojnë menjëherë adresat e kompanive që ofrojnë vendosjen e basteve online. Përmes dy shkresave të datave 4 dhe 9 janar, Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF) pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka dërguar në AKEP listën e adresave të internetit për të cilat duhet bllokuar aksesi nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Në total, janë 343 adresa interneti që i takojnë kompanive shqiptare dhe të huaja, të cilat ofrojnë lojëra fati dhe baste online. AKEP ka njoftuar zyrtarisht të gjitha sipërmarrësit që ofrojnë shërbimin e internetit (ISP) për bllokimin e aksesit për të gjitha faqet web të dërguara nga AMLF.

AKEP shprehet se mbështetur në ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe rregullores së AKEP “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator që ofron shërbime të komunikimeve elektronike duhet të respektojë rigorozisht detyrimin ligjor për të marrë masat e duhura juridike dhe teknike për kufizimin e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.

Çdo sipërmarrës pas marrjes së njoftimit nga AKEP, është i detyruar të veprojë menjëherë për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme, si dhe të njoftojë AKEP-in për mbylljen e aksesit të tyre.

Megjithatë, bllokimi i adresave nga ISP-të nuk është kryer dhe kjo mund të verifikohet shumë lehtë. Shumica e linqeve në listën e raportuar nga AMLF mund të hapen ende. Adresat e mbyllura janë kryesisht ato të kompanive shqiptare të basteve dhe atyre më të njohura ndërkombëtare; ndërkohë, adresat e basteve më pak të njohura dhe kazinotë online hapen pa probleme.