MENU
klinika

77-vjetori

Artisti i popullit mes lavdisë dhe kritikave!

10.01.2019 - 19:08

I lindur në Tiranë më 10 janar të vitit 1942, pas diplomimit për aktor, Ndrenika nisi të punonte në teatrin “Skampa” në Elbasan.

Ndërsa në Teatrin Kombëtar ai nisi të punonte që prej vitit 1974 deri sa doli në pension. “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Prefekti”, “Familja e peshkatarit”, “6 vjet shtatzënë”, “Jashtë bie borë” janë disa nga veprat teatrore ku ai ka interpretuar.

Në kinematografi numërohen mbi 30 filma, si: “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Mësenjtorja” etj. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm Robert Ndrenika mban titujt ‘Artist i Popullit’ dhe ‘Nder i Kombit’.

Në morinë e filmave të realizuar nga Robert Ndrenika, ndoshta edhe nga brezi i ri, kujtohet për serialin e famshëm televiziv i cili i mbante të mbërthyer para ekranit familjet shqiptare, “Njerëz dhe Fate”.

Përrallë nga e kaluara, që shpesh herë njihet edhe si 14 vjeç dhëndër, filmi i bazuar në veprën e Andon Zako Çajupit, padyshim që është një nga më të arrirët ku ka luajtur Robert Ndrenika, jo vetëm për shkak të mjeshtërisë në rol, por edhe për faktin se në vetvete filmi ka një mori tematikash, për shtresa dhe mosha të ndryshme.

Filmi Prefekti është shumë i njohur gjithashtu për publikun shqiptar, një karakter i veçantë i Qazim Mulletit interpretuar me mjeshtëri nga Robert Ndrenika.

Në filmin “Shtigje Lufte” mbetet në memorien e njerëzve fragmenti kur Robert Ndrenika, në rolin e Shabës, pyet mes ballistëve se kush është Kanan Tafili dhe e kap prej hunde atë.

Filmografia e Ndrenikës është një listë që duket sikur nuk mbaron kurrë, filma të cilët do të mbeten gjatë në memorien e të gjithëve ne.

Kohët e fundit Robert Ndrenika u angazhua në kauzën e artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, por më pas ai ra në hije dhe “me zë të ulët” tha se një teatër i ri i duhet qytetit.

Për këtë gjë ai mori jo pak kritika nga kolegët e tij, pedagogë e studentë që ishin pjesë e kauzës, por kjo gjë nuk e sfumon aspak rolin që ka luajtur dhe kontributin e madh që ai ka lënë në kinematografinë shqiptare.

Në faqen zyrtare në ‘Facebook’, Teatri Kombëtar ka bërë një urim për aktorin e mirënjohur, ‘Artistin e Popullit’, Robert Ndrenika:

“Urojmë përzemërsisht në ditën e tij të lindjes Artistin e Popullit Robert Ndrenika, një jetë sa më të gjatë e të shëndetshme!

Ai na ka dhuruar një trashëgimi të pasur teatrore dhe kinematografike, duke intrepretuar në role të larmishme, tragjike e komike. Karakteret e realizuara me mjeshtëri nga Ndrenika kanë bërë që jo vetëm ato role, por edhe filmat të bëhen të pavdekshëm”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN