MENU
klinika

Rritet shfrytëzimi i kapaciteteve

Biznesi po mbush “boshllëkun” prodhues

08.01.2019 - 11:32

Megjithë rënien e treguesit të ndjesisë ekonomike, biznesi rriti shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese në shumicën e sektorëve për tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Mbështetur në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri u rrit me 1 pikë përqindje dhe arriti në 75.8%.

Edhe në sektorin kryesor të ekonomisë, në tregti, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit në 75.2%. Kjo normë është rritur me 4 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt dhe me mbi gjashtë pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritje u shënua edhe në sektorin e ndërtimit, ku bizneset rritën shfrytëzimin e kapaciteteve me afro 3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, ndërtimi ngelet sektori me shkallën më të ulët mesatare të shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, me 62.4%.

Rënie e shfrytëzimit të kapaciteteve për tremujorin e fundit të vitit të kaluar u shënua vetëm në degën e shërbimeve. Megjithatë, shfrytëzimi i kapaciteteve me një normë rreth 71%, vazhdon të mbetet mbi mesataren historike.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare është drejt mbylljes së hendekut negativ të prodhimit, çka nënkupton një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve të rritjes. Madje, në dy vitet e fundit, banka qendrore vlerëson se rritja reale ka qenë edhe më e lartë se rritja potenciale, që vlerësohet në rreth 3.5% në vit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN