MENU
klinika

Moti i keq

Dëbora i ‘thyen’ kockat shkodranëve

15.01.2019 - 16:02

Reshjet e dëborës që mbuluan para pak ditëve qytetin e Shkodrës, duket se e kanë faturën mbrapa.

Si pasojë e uljes së temperaturave, dëbora, është kthyer në akull, ku kanë qënë të shumtë viktimat. Sipas të dhënave zyrtare, sot është shënuar një numër rekord pacientësh në urgjencën e spitalit te Shkodrës.

Rreth 30 shtetas u paraqitën në dyert e spitalit me dëmtime të marra nga rrëzimet, ku 2 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Pjesa më e madhe e pacientëve janë të moshuar por ka edhe nga moshat e reja. Në 5 ditët e fundit rreth 200 pacientë u paraqitën në qendrën spitalore të qytetit verior dhe një pjesë e tyre dolën me gjymtyrë të dëmtuara dhe fraktura të lehta.

reshje debore-konica.al

Ngricat e krijuara nga temperaturat e ulëta si dhe mungesa e ndërhyrjes në rrugët dhe trotuaret e Shkodrës u ka sjellë jo pak vështirësi qytetarëve.

Ngritja e temperaturave dhe rrezet e diellit janë shpresa e vetme që mund të përmirsojnë situatën për qytetarët, pasi sipas tyre, Bashkia e Shkodres është treguar neglizhente përballë këtyre problemeve.