Ngricat në vend shkaktuan mjaft probleme në disa zona të caktuara ku edhe u bllokuan si pasojë e borës që pushtoi kryesisht zonat malore.
Një ndër qytetet që u prek më së shumti ishte dhe Bulqiza.
Qindra familje në të gjithë bashkinë për ditë me radhë mbetën të izoluara dhe pa shërbime për shkak të trashësisë së dëborës që arriti deri në 1.5 metra.
Kryebashkiaku i Bulqizës, Melaim Damzi thotë se i bllokuar mbetet vetëm fshati Gjinovec në Trebisht.
“Pothuajse të gjitha fshatrat janë të hapura, duke përjashtuar fshatin Gjinovec, i ish komunës së Trebishtit që është një rrugë e cila besoj do hapet brenda 2-3 ditëve.”
Situata e krijuar në qytet i cili është tërësisht i mbuluar nga dëbora e cila arrin në disa centimetra, ka krijuar dhe vështirësi në lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve.
Reshjet e dëborës kanë ndaluar në të gjithë vendin, por temperaturat e ulta bëjnë që ngricat të jetë ende problem në shumë rrugë kombëtare e rurale.
ARRSH bën të ditur se në rajonin verior dhe atë qendror segmentet janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa në jug qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht.
Qarkullimi me zinxhirë:
Domaj-Draj Reç
Ura e Cerenecit-Stebleve
Sllovë -Vasije
Peshkopi-Qafë-Drajë
Peshkopi-Ushtelencë
Qafë Bualli-Krastë
Trebisht-Doganë
Në Tiranë në aksin nga Trau i Dajtit-Teleferik-Vilat Qeveritare rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në disa segmente.
Për shkak të temperaturave të ulëta, ARRSH dhe Policia rekomandojnë drejtuesit e mjeteve që të që lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të vendosin zinhirët në akset e lajmëruara për problematika.