MENU
klinika

Eksportet u rritën me 14%

Deficiti tregtar ra me 6.5% vitin e kaluar

17.01.2019 - 12:13

Deficiti tregtar i Shqipërisë u ngushtua gjatë vitit 2018. Sipas Institutit të Statistikave, për vitin e kaluar deficiti në tregtinë e mallrave zbriti në 331 miliardë lekë, në rënie me 6.5% krahasuar me vitin 2017.

Viti i kaluar shënoi gjithashtu rezultatin më të mirë në një tregues domethënës të tregtisë së jashtme, mbulimin e importeve nga eksportet. Ky tregues u rrit në 48.4%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në ekonominë shqiptare, të paktën pas vitit 1990.

Ulja e deficitit tregtar erdhi kryesisht falë një tjetër viti pozitiv për eksportet, që u rritën me afro 14%. Ekonomia shqiptare eksportoi mallra në vlerën e 310 miliardë lekëve ose rreth 2.5 miliardë eurove.

Rritja erdhi sidomos nga rigjallërimi i ndjeshëm i eksporteve në grupet “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 31% dhe “materiale ndërtimi dhe metale” me 21%. Megjithatë, sektori fason vazhdon të dominojë dukshëm strukturën e eksporteve, me 40% të totalit. Vitin e kaluar, Shqipëria eksportoi tekstile dhe këpucë në vlerën e rreth një miliard eurove, 5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithë alarmizmin e eksportuesve për pasojat e rënda nga forcimi i lekut, në fakt shifrat tregojnë se në tërësi eksportet shqiptare janë rritur me ritme të kënaqshme.

Ndërkohë, importet për vitin 2018 u rritën në përmasa modeste. Shqipëria importoi 641 miliardë lekë mallra, në rritje me 2.4% krahasuar me një vit më parë.

Importet u dominuan edhe për vitin e kaluar nga grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, me rreth 142 miliardë lekë ose 1.13 miliardë euro. Ky ishte njëkohësisht edhe grupi me rritjen vjetore më të lartë, me rreth 6%.

Dominimi i mallrave kapitale në importe tregon se ecuria e investimeve në ekonominë shqiptare ka qenë e lartë edhe për vitin e kaluar.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN